Të paktën në 4 shkolla në kryeqytet rrezikohet viti i ri shkollor. “Petro Nini”, “Ahmet Gashi”, “Eqrem Çabej” e “Kole Jakova” nuk përmbushin kushtet higjieno-sanitare. Përfundimi është i Institutit të Higjienës, pas inspektimeve të vazhdueshme të kryera në këto institucione arsimore.
“Petro Nini”, një prej gjimnazeve me numrin më të madh të nxënësve dhe prej më të njohurve në Tiranë është amortizuar edhe për shkak se vitin e shkuar në të ndoqën studimet edhe studentë të fakultetit të drejtësisë.
Besa Shehu: “Gjatë vitit që shkoi ka pasur një mbi ngarkesë, pasi fakulteti Juridik dhe Filologjik një pjesë të madhe të vitit shkollor bënë mësim. Kështu që një shkollë që vazhdonte mësimi që nga 8 e mëngjesit deri në 10 të darkës dhe kuptohet që konsumimi ose amortizimi i bazës materiale e kushteve të tjera rëndohej dita ditës dhe vetë institucionet përkatëse nuk do të lejojnë që të hapet, bashkia të paktën në një korrespondencë që kemi patur me drejtorinë 3 të bashkisë. Kjo shkollë nuk do të lejohet të hapet në shtator.”
Diana Kalemi: “Ka disa vite që bashkia e Tiranës pretendon që kjo shkollë do kalojë në rikonstruksion për shkak të edhe numrit të madh të nxënësve që ka edhe amortizimit në një farë mase të disa ambienteve të saj, por edhe ambienteve sportive palestra etj që janë pothuajse jashtë funksionit. Vetëm sivjet është bërë e mundur që bashkia e Tiranës do të kalojë, unë di që është aprovuar edhe projekti në bashkëpunim dhe me ministrin e arsimit në rikonstruksion.”
Nuk dihet ende se cilat do të jenë ambientet e reja në të cilat do të mësojnë nxënësit e këtyre shkollave, por gjithçka pritet të vendoset brenda pak ditëve./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi