Instituti i Higjienës dhe Bashkia e qytetit të Lushnjës prej muajsh janë vënë në polemika lidhur me përdorimin ose jo të ujit të pijshëm nga qytetarët.

Pas analizave të kryera në laboratorin përkatës u arrit në përfundimin se uji i ardhur nga burimet e Konjatit ka substanca kancerogjene dhe është rreptësishtë i ndaluar për konsum.

Merçeta Ndreçka: “Amoniak nuk duhet të ketë fare, zero miligram për litër. Ne na rezulton 0.3 deri në 0.5 miligram për litër, ndërsa nitritet nuk duhet të ketë as në të 10 mijtën e miligramit për litër. Ne na rezulton deri në 1 të qindtën e miligramit për litër. Janë tregues që ndikojnë në sëmundjet kancerogjene.”

Isuf Çela: “Ne na shqetëson më shumë papërgjegjshmëria që tregon bashkia dhe drejtoria e ujësjellësit. Ata vazhdojnë të japin ujë qytetit vetëm Konjatin dhe kanë hequr Çermën. Konjati është i papijshëm.”

Por edhe pas alarmit të dhënë nga Instituti i Higjienës, bashkia e cila ka nën administrim ujësjellësin thotë se nuk ka vend për shqetësim, madje u rekomandon qytetarëve ta përdorin atë.

Albert Sanxhaku: “Fabrikimi i sistemit të ujit të pusetave janë studiuar nga Shërbimi Gjeologjik Kombëtar, edhe nga të dyja…në shkallë kombëtare, edhe nga oponenca që është bërë për përdorimin e ujit, kështu që nuk përbën ndonjë pengesë për t’u ose një shqetësim kaq të madh”.

Vetë banorët e kanë gjetur zgjidhjen tek autobotet private, furnizimi nga të cilët duket të jetë më i sigurt se uji që rrjedh në çezmat e tyre.

“As për të gatuar, as për të pirë tek ai. Është shumë ujë i keq.”

“Uji që vjen në çezmë është i papijshëm, është i pisët edhe mban erë, kështu që detyrohemi të blejmë nga tre bidona, nga katër bidona në ditë”.

“Dhe në kovë që e vejmë, dmth, nxjerr ndryshk.”

Investimi i kryer pak vite më parë në burimet e Konjatit rrezikon të bëhet i parehabilitueshëm për shkak të devijimit fare afër ujërave të zeza dhe ngritjes përreth të stallave të bagëtive./tvklan.al

Gazetare: Anila Sefa