Vullneti politik i shfaqur në sallën e parlamentit muajt e fundit të sesionit të kaluar, e bën optimiste qeverinë shqiptare për një vlerësim pozitiv nga Bashkimi Europian për kërkesën e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu shprehet se ecuria e dialogut politik rrit besimin se procesi i mbajtur peng nga bojkoti i gjatë parlamentar i Opozitës do të finalizohet brenda 2012-ës.

Me fillimin e sesionit te ri parlamentar Këshilli i Ministrave do të dorëzojë në Kuvend plan-veprimin e rishikuar të integrimit dhe Komisioni Parlamentar i Integrimit i cili drejtohet nga socialistët pritet të japë kontributin e tij. Sipas ministres produkti nuk ka vend për asnjë kundërshtim pasi ai është konsultuar si nga shoqëria civile ashtu dhe ekspertet e Delegacionit të Komisionit Europian.

Ministrja Bregu thotë gjithashtu se bashkëpunimi mes Mazhorancës dhe Opozitës për çeshtjen e integrimit nuk mund të kushtëzohet nga asnjë ngjarje tjetër politike, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Republikës./tvklan.al