Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE vijon të mbetet një debat mes partive politike lidhur me avancimin drejt Bashkimit Europian.

Për të folur lidhur me këtë temë, por jo vetëm në studion e Klan News me gazetarin Drini Zeqo ishte e ftuar, deputetja e PD njëherësh Kryetare e Këshillit të Integrimit, Jorida Tabaku e cila shprehet se ka një mbështetje nga komisioni vitet e fundit lidhur me zgjerimin.

Tabaku theksoi edhe fjalën e komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, e cila është shprehur se nuk është e rëndësishme që të hapen kapitujt, por ajo që ka rëndësi është mbyllja e tyre.

Jorida Tabaku: Nuk përbën lajm po të themi që komisioni vitet e fundit ka qenë shumë mbështetës për zgjerimin dhe nuk lidhet me faktorë të brendshëm, por me gjeostrategjinë dhe me realitetin e ri që Rusia ka sulmuar Ukrainën dhe zgjerimi është bërë tashmë çështje sigurie dhe kjo ka vendosur vendet e Ballkanit Perëndimor në një premisë tjetër. Unë morra pjesë në takimin e Komisionit të jashtëm ku raportoi dhe komisionerja e re e cila tha dy gjëra shumë të rëndësishme, ne mbështesim ambiciet e qeverive së pari të Malit të Zi dhe pastaj të Shqipërisë. Por ajo tha edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme që kapitujt nuk është e rëndësishme të hapen, por është e rëndësishme që të mbyllen dhe ky proces nuk është një proces në letër sepse ne flasim me një lehtësi të jashtëzakonshme për gjëra që duan të bëjnë ndryshime në terren. Ne po na afrohen zgjedhjet që është një nga shtyllat kryesore të grupkapitullit të parë dhe Shqipëria duhet të jetë nën mbikëqyrje për zgjedhje.  

Deputetja Tabaku shtoi ndër të tjera se integrimi është procesi i vetëm transformues për Shqipërinë, por kjo nuk mund të arrihet vetëm me ndryshime në letër.

“Kjo është një proces që unë mendoj që është procesi i vetëm transformues për Shqipërinë, por duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe së dyti jo me reforma në letër, por me ndryshime në terren”, tha Tabaku.

Tabaku gjithashtu theksoi se: Nëse sot ndodhemi në këtë situatë ka ardhur si mungesës së vullnetit politik. Tashme kemi nisur një fazë të re monitorimi që tashmë po zhvillohet dhe ky është momenti që nuk bëhet dot shaka. Socialistët kanë bërë 11 vite shaka me qytetarët shqiptarë për këtë proces. Procesi i integrimit duhet të jetë real, duhet të ketë ndryshime në terren, ndryshime për qytetarët./tvklan.al