Deklarata e pronarit të Milanit, Gerry Cardinale, i cili thumboi Interin, ka bërë bujë në Itali.

Duke folur në Shkollën e Biznesit të Harvardit, amerikani deklaroi se ka plan tjetër për Milanin, ndryshe nga Interi. Sipas tij, zikaltërit fituan titullin dhe më pas falimentuan financiarisht.  

“Unë dua ta çoj Milanin në një nivel tjetër. Të fitojmë me inteligjencë. Të fitosh kampionatet është objektiv i rëndësishëm për duhet ta bësh me inteligjencë. Interi fitoi titullin dhe më pas falimentoi. (I referohet ish-presidentit Steven Zhang, që për shkak të problemeve financiare, e la klubin te Okatree). Synimi im nuk është që të amerikanizoj Milanin, por ta çoj klubin në një tjetër nivel”, tha Cardinale.

Kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga presidenti i Interit, Beppe Marotta, i cili i cilësoi fjalët të pavend, ndërsa nuk e kurseu edhe ironinë, duke thënë se zikaltërit janë skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë.

“Nuk doja të flisja për këtë temë. Por meqë po më pyesni, është e drejtë që të përgjigjem. Këto janë deklarata të pavend dhe të papërshtatshme. Është një mungesë respekti për klubin dhe prestigjin e Interit. Është e vërtetë që në vitet e para kishim probleme financiare, por Okatree ka menjëherë mbështetjen. Prej dy vitesh Okatree është pronar i klubit dhe menaxhimi i Interit është krejt ndryshe. Jemi në përputhje me “Fair Play Financiar” dhe të gjitha rregullat e tjera. Mund të them se jemi skuadra e vetme në Milano që kemi dy yje”, deklaroi Marotta.

Sa i përket situatës në kampionat, Interi qëndron në vendin e tretë në renditje me 37 pikë, plot 11 pikë më shumë se Milani i vendit të tetë. /tvklan.al