Interi do të përballet me Milanin këtë të Diel, në derbin e tretë sezonal. Zikaltërit do të kërkojnë “hakmarrjen”, pas dy humbjeve të para, në kampionat dhe Superkupë.
Në prag të kësaj përballje, në konferencë për shtyp, foli trajneri i Interit, Simone Inzaghi. Tekniku i kampionëve, deklaroi se skuadra e di se çfarë përfaqëson një derbi, ndërsa pret vazhdimësi.
Ndër të tjera, ai tha se në derbin e parë, Milani e meritoi fitoren, ndërsa për humbjen në finalen e Superkupës, u shpreh se goli erdhi pas një faulli ndaj Asllanit.
“Ne e dimë së çfarë përfaqëson një derbi. Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe me gracka, sepse Milani është një ekip i madh dhe me cilësi. Duhet një Inter shumë i mirë, i vendosur dhe agresiv në fushë. I dimë vlerat e kundërshtarit. Këtë sezon kemi humbur dy derbi. Në derbin e parë na mposhtën me meritë, në Superkupë duhet t’i kishim menaxhuar ndryshe situatat. Goli i tyre i parë erdhi pas një faulli ndaj Asllanit.
Açerbi dhe Calhanoglu janë mirë dhe gati të na japin ndihmën e tyre. Hakan ka pasur më shumë probleme këtë sezon, në krahasim me të kaluarën. Gjasat janë që ai të mos luajë nga fillimi, por të shohim.
Nga skuadra dua të shikoj vazhdimësinë që kemi pasur nga Gushti. Dua vetëm ta vlerësoj ekipin për atë që ka bërë gjatë këtyre muajve, në kampionat dhe Champions. Duhet të ruajmë këtë vazhdimësi.
Derbi jonë i parë ishte ndeshja jonë më e keqe pas 30 përballjeve sezonale. Te i dyti humbëm pas një faulli të padhënë ndaj Asllanit dhe një goli nga goditja e dënimit. Në futboll ka edhe momente të tilla.
Mendova se në muajin Shkurt do të kishim një kalendar më të lirë, por për shkak të ndryshimeve, nuk mund të kemi pushime. Napoli, Inter dhe Atalanta kanë marrë një avantazh dhe janë favoritë për titullin kampion. Jam i fokusuar vetëm te skuadra ime”, deklaroi Inzaghi.
Derbi Milan-Inter, është planifikuar të luhet ditën e Diel, duke nisur nga ora 18:00. /tvklan.al