Ambasadori italian në Tiranë Alberto Cutillo në një intervistë në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu iu përgjigj shumë pyetjeve, sikurse nuk mund të mungonte dhe ajo e hapjes së negociatave për Shqipërinë.
Ambasadori tha se
:Italia është e bindur që këto negociata duhet të ishin hapur edhe më parë. Shpresojmë që ky të jetë viti i duhur.
Gjithashtu i pyetur për protestën e studentëve, ambasadori tha se e ka ndjekur me vëmendje.
“Po. E kam ndjekur me interes të madh dhe më lejoni ta them me admirim për kurajën që kanë treguar këta studentë. Mendoj se kanë shprehur ndjenja të forta me vendosmëri për muaj të tërë.
Mendoj se po. Shpresoj që politika t’i dëgjojë sepse mesazhi që ata përcjellin ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe është në interesin e të gjithëve. Madje edhe profesorët po i bashkohen protestës. Pra, me sa duket, nuk është opinioni vetëm i studentëve, por është e rëndësishme që të gjithë të bëhen bashkë për të zgjidhur problemet e universitetit shqiptar”.
Intervista e plotë
Blendi Fevziu: z.Ambasador, cila është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Itali-Shqipëri?
Alberto Cutillo:
Sigurisht, çështja më e rëndësishme është futja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian që edhe për ne ka vërtet prioritet.
Blendi Fevziu: Që duket ende e largët.
Alberto Cutillo:
Duket pak larg, por rëndësi ka që tashmë ka nisur dhe nisja nënkupton hapjen e negociatave. Italia është e bindur që këto negociata duhet të ishin hapur edhe më parë. Shpresojmë që ky të jetë viti i duhur.
Blendi Fevziu: Cila është përgjigja e Italisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Alberto Cutillo:
E përsëris, ne jemi të bindur se reformat që Shqipëria ka ndërmarrë dhe duhet të ndërmarrë, mund të bëheshin edhe gjatë negociatave. Madje negociatat shërbejnë si instrument për reformat. Shqipërisë i kërkohet të bëjë reforma para se të nisë hapja negociatat dhe kjo është e tepërt.
Blendi Fevziu: Pse Italia, madje edhe disa vende si Franca apo Hollanda, kanë opnione të ndryshme për Shqipërinë?
Alberto Cutillo:
Bashkimi Evropian përbëhet nga 28, 27 shtete dhe secili prej tyre ka prioritetet e veta, secili ka ndjeshmëritë e tij. Për ne që jemi kaq pranë Shqipërisë, duket qartë prioriteti, ndërkohë që vendet më të largëta nuk e konsiderojnë kaq të rëndësishme.
Blendi Fevziu: Flitet për probleme lokale evropiane apo në të gjithë panoramën Evropiane?
Alberto Cutillo:
Mendoj se janë të dyja. Në këtë fazë janë politike, përderisa janë dhe zgjedhjet evropiane në maj, mendoj se politika e brendshme përbën problemin më të madh.
Blendi Fevziu: Cilët janë problemet apo detyrat që Shqipëria nuk i ka bërë ende?
Alberto Cutillo:
Le të themi që asnjë nuk është i përkryer. Nëse edhe vendet anëtare do t’i nënshtroheshin të njëjtit provim që duhet të kalojë Shqipëria, nuk di sa prej tyre do ta merrnin këtë provim.
Shqipëria është në rrugën e duhur, por duhet ta tregojë gjatë këtyre muajve dhe duhet të vazhdojë me reformat në drejtësi, të vazhdojë luftën kundër krimit me vendosmëri dhe brenda mundësive të bëjë edhe reformën elektorale. Unë nuk besoj se progreset e bëra deri tani…
Blendi Fevziu: Ka shanse për reformën elektorale?
Alberto Cutillo:
Janë të pakta, pasi reforma elektorale kërkon bashkëpunimin me opozitën që në këto momente duket i pamundur. Por dua të theksoj se këto reforma mund të bëhen edhe gjatë negociatave. Mendoj se Shqipëria po tregon se është impenjuar për të rindërtuar vendin dhe ka arritur rezultate të mira.
Blendi Fevziu: Ne kemi patur probleme edhe në nivelin evropian, si krimi i organizuar, problemi i drogës, kanabis, jo droga të forta dhe probleme të tjera. Ka edhe Italia përgjegjësi në njëfarë këndvështrimi, pasi Guardia di Finanza shprehej se nuk ekzistonte më ose se kanabis në Shqipëri ishte eliminuar. Ndërkohë në të gjithë Shqipërinë lulëzonte bima e kanabisit.
Alberto Cutillo :
Nuk mund të flas për vitet e mëparshme. Unë ndodhem në Shqipëri prej tre vjetësh dhe gjatë kësaj kohe kam parë se Guardia di Finanza çdo vit realizon këtë mbikëqyrjen e terrenit nga ajri dhe pastaj bën publik rezultatin. Rezultati është një element i rëndësishëm. Në vitet 2015-2016 pati le të themi një lulëzim masiv të kanabisit, me sa mbaj mend asnjë nuk e mohonte. Edhe të dhënat e Guradia di Finanza e tregojnë këtë. Në vitin 2016 kanë gjetur 700 mijë rrënjë kanabis, në 2017, 7 mijë dhe 2018, 700. Këto janë shifrat sipas të dhënave, por mund të ketë edhe të dhëna të tjera që duhen parë, është e kuptueshme. Ama këto të dhëna që kemi, nuk mund të fshihen.
Blendi Fevziu: z.Amdasador, Shqipëria ka një lidhje të fortë me Italinë, ndërkohë që nuk e ka me vendet e tjera. Sa studentë shqiptarë studiojnë në Itali në këtë vit shkollor?
Alberto Cutillo:
Janë shumë, janë komuniteti i huaj më i madh në numër, janë thuajse…
Blendi Fevziu: Zë vendin e parë nga komunitetet e huaja në Itali?
Alberto Cutillo: P
o. Konkurron me Kinën, kjo për të ilustruar sa të shumtë janë. Një vend që….
Blendi Fevziu: Nuk e konkurrojmë dot kurrë Kinën.
Alberto Cutillo :
Janë afërsisht 10 mijë, por duhet të përmendim faktin që pjesa më e madhe jetojnë në Itali. Janë rezidentë atje.
Është e vështirë të dallosh sa janë, por mund të them se vitin e kaluar nga Tirana dhe Vlora kemi dhënë njëmijë viza studimi.
Nëse këtë e shumëzojmë për tre apo katër vjet pasi është kohëzgjatja mesatare e studimeve, janë 3 ose 4 mijë.
Blendi Fevziu: Alberto CutilloJanë 4 ose 5 mijë studentë që shkojnë nga Shqipëria.
Alberto Cutillo:
Po, janë studentë shqiptarë që studiojnë në Itali. E bëjnë pasi ne kemi edhe një sistem me të cilin mbështetim studentët që kanë të ardhura familjare të pamjaftueshme dhe kjo aplikohet për të gjithë studentët, qofshin këta italianë, shqiptarë apo të nënshtetësive të tjera, dhe besoj se edhe statistikat e kanë të vështirë ta përcaktojnë. Thuajse 80 përqind e këtyre studentëve përfitojnë bursa studimi.
Blendi Fevziu: z.Amabasador, studentët kanë zënë faqet e para të shtypit ose lajmet e para të edicioneve informative në Shqipëri dhe jashtë saj, e keni ndjekur grevën e studentëve?
Alberto Cutillo:
Po. E kam ndjekur me interes të madh dhe më lejoni ta them me admirim për kurajën që kanë treguar këta studentë. Mendoj se kanë shprehur ndjenja të forta me vendosmëri për muaj të tërë.
Blendi Fevziu: Na kanë dhënë një mësim të mirë të gjithëve, edhe politikanëve në veçanti.
Alberto Cutillo :
Mendoj se po. Shpresoj që politika t’i dëgjojë sepse mesazhi që ata përcjellin ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe është në interesin e të gjithëve. Madje edhe profesorët po i bashkohen protestës. Pra, me sa duket, nuk është opinioni vetëm i studentëve, por është e rëndësishme që të gjithë të bëhen bashkë për të zgjidhur problemet e universitetit shqiptar.
Blendi Fevziu z.Ambasador, ne kemi patur një problem me median italiane që e shihte Shqipërinë vetëm nëpërmjet problemeve apo shfaqte vetëm gjërat negative. Tani po vihet re një ndryshim. Kur lexojmë shtypin italian, duket sikur Shqipëria është shndërruar në parajsë për italianët. Thuhet se 20 mijë italianë po jetojnë në Shqipëri dhe kanë hapur biznese këtu. Mua nuk më duket e vërtetë, vetëm nëse italianët kanë mësuar gjuhën shqipe, por… ama nuk më duken 20 mijë
Alberto Cutillo :
Keni të drejtë. Shtypi në Itali, sikurse edhe në Shqipëri dhe për fat të mirë në të gjitha vendet e botës bazohet në opinione të ndryshme. Ka nga ata që shohin të mirën, por ka edhe nga ata që shohin të keqen. Është e vërtetë që nuk janë 20 mijë. Ne si Ambasadë, si konsullatë kemi regjistrimet tona dhe na rezulton se janë afërsisht 2 mijë italianë. Le të supozojmë se disa prej tyre nuk janë regjistruar akoma, pra, mund të jenë 3 mijë.
Ama ka shumë italianë që vijnë në Shqipëri si turistë ose për punë. Nuk do të habitesha nëse në një ditë të vitit, dikush do të bënte llogaritë dhe atë ditë mund të jenë 20 mijë italianë në Shqipëri.
Blendi Fevziu: Çfarë bëjnë italianët që janë rezidentë në Shqipëri?
Alberto Cutillo :
Pjesa më e madhe punojnë këtu. Ka edhe nga ata që kanë zgjedhur të jetojnë këtu, por janë pak, sepse sinqerisht shërbimet sociale që Shqipëria ofron, sidomos në mjekësi nuk janë në lartësinë e duhur për të zëvendësuar ato që ofron Italia.
Blendi Fevziu: Po turistët italianë, po rritet numri i tyre?
Alberto Cutillo :
Po, vetëm këtë vitin e fundit është rritur me 25 %. Zënë vendin e katërt, menjëherë pas turistëve nga vendet fqinjë, Kosova, Greqia, Maqedonia. Janë kureshtarë për të zbuluar këtë vend.
Blendi Fevziu: Mbeten të kënaqur?
Alberto Cutillo:
Po, largohen të kënaqur. Kanë kuriozitet që të zbulojnë këtë vend kaq afër me Italinë, por që në kaq vjet ka qenë i mbyllur dhe njëkohësisht shumë i largët. Janë kuriozë dhe të kënaqur me atë që gjejnë.
Blendi Fevziu: Janë turistë aventurierë që vijnë vetë apo të organizuar nga agjencitë italiane?
Alberto Cutillo :
Prej dy vitesh agjencitë kanë zënë një rol të rëndësishëm, por më parë kanë qenë kryesisht turistë aventurierë. Tani vijnë edhe turistë të moshës së tretë që i besojnë agjencive dhe e vlerësojnë këtë vend.
Blendi Fevziu: Janë të kënaqur?
Alberto Cutillo:
Po
.
Blendi Fevziu :Dua t’ju pyes edh për diçka, mund të thoni mendimin tuaj personal, por kam vënë re që Italia ka qenë partneri i parë për Shqipërinë dhe në vitet e fundit duket disi më e tërhequr. Është një problem i politikës të brendshme italiane apo Italia e ka humbur interesin për Shqipërinë?
Alberto Cutillo :Jo, nuk e ka humbur interesin dhe nuk besoj se është tërhequr, por mendoj se është më pak e dukshme. Prezenca italiane në vitet ’90 dhe 2000 kanë qenë e diktuar nga kushtet dramatike, kur vendi kishte nevojë për një mik të sinqertë që ta ndihmonte për t’i ikur diktaturës.
Blendi Fevziu: Alberto CutilloKa qenë pika e mbështetjes dhe duhet falenderuar.
Alberto Cutillo :
Pra, për fat të mirë, gjërat ndryshuan dhe prezenca është më pak e dukshme. Sot italianët janë në çdo aspekt të shoqërisë, human, kulturor edhe ekonomik. Nuk besoj se ka ndonjë ftohje, përkundrazi…
Blendi Fevziu: Ka investime italiane në ekonominë shqiptare?
Alberto Cutillo:
Ndihem krenar që në Shqipëri në vitet e fundit ka ardhur në vendin tuaj një nga kompanitë më prestigjioze italiane Snam, që është pjesë e grupit Eni, një grup që faturon 70 miliardë euro në vit që është në krye të teknologjisë në sektorin e gazit dhe të naftës që do ta ndihmojë vendin të hyjë në një fazë të re të zhvillimit energjetik dhe ekonomik për shpërndarjen e gazit në Shqipëri.
Blendi Fevziu: A hezitojnë investitorët italianë për të hyrë në Shqipëri?
Alberto Cutillo :
Le të themi se për fat të keq në të shkuarën kanë patur eksperienca negative. Kanë bërë investime dhe këto më pas kanë falimentuar për shkak të moszbatimit të ligjit apo për mungesë të instrumenteve juridikë që nevojiteshin. Ka nga ata që nuk janë gati të rikthehen.
Blendi Fevziu: Ka mbetur nami i keq?
Alberto Cutillo:
Po, ndonëse në Itali i ndjekin me shumë vëmendje zhvillimet në Shqipëri, reformën në drejtësi që po shkon mirë këto dy vitet e fundit dhe do të përmirësohet edhe më shumë. Kjo do t’i japë shtysë edhe investimeve të huaja dhe atyre italiane në veçanti.
Blendi Fevziu: Ka disa gjëra që janë në fokusin e mediave në Shqipëri, çështja Habilaj, i cili u kap në Katania, ku ishte i përfshirë edhe ish-ministri i brendshëm Tahiri. Ç’po ndodh me këtë çështje, Ambasador?
Alberto Cutillo:
Me aq sa di, pasi për fat të mirë nuk duhet të ndjek çështje që janë në shqyrtim në Itali. Hetimet vazhdojnë dhe shumë nga të pandehurit e kanë pranuar fajin dhe rrezikojnë dënime të mëdha. Këtë do ta shohim
.
Blendi Fevziu: Çfarë prisni nga hetimi i Tahirit në Shqipëri?
Alberto Cutillo:
Unë nuk jam në dijeni për detaje, por procesi gjyqësor duhet të kryhet dhe kjo është në interesin e Tahirit dhe të gjithëve. Të gjithë shqiptarët kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën.
Blendi Fevziu: z.Ambasador, çfarë u bë me vëllain e Xhafaj? Ka informacione ndonjëherë edhe kontradiktore lidhur me të.
Alberto Cutillo:
Nuk e di. Di që ndodhet në burg në Itali dhe po vuan dënimin. Kaq di. Nuk kam informacione të tjera.
Blendi Fevziu: Si e shihni faktin që Kryeministri Rama është njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm?
Alberto Cutillo:
Kjo është zgjedhja e kryeministrit dhe ne nuk duam të ndërhyjmë në politikën e brendshme të një vendi. Ka edhe vende të tjera që janë gjendur në këtë situatë. Sigurisht Shqipëria duhet të bëjë një sforco sidomos për hapjen e negociatave, ndaj shpresoj dhe jam i bindur se kjo mbivendosje e posteve nuk do të ndikojë në këtë sforcim. Për ne, për Italinë nuk përbën asnjë problem. Por të punosh me një ministër, siç e tha edhe Rama, De jure apo de facto mund të jetë disi problem. Uroj të mos jetë e komplikuar për Shqipërinë kjo situatë.
Blendi Fevziu: Për mendimin tuaj në Qershor, Shqipëria do të marrë një Po apo një Jo?
Alberto Cutillo:
Eshtë pyetje e vështirë. Loja është e hapur. Shqipëria i ka të gjitha instrumentet për të treguar se tashmë është e pjekur dhe të impenjohet për të marrë një PO, por nuk është e thënë. Nëse do të vija bast, është 50/50.
Blendi Fevziu: Ka ndonjë problem, i cili është më problematiku në marrëdhënien Shqipëri-Itali? Në marrëdhëniet dypalëshe.
Alberto Cutillo:
Jo, bashkëpunimi është i mirë, ka patur edhe momente të vështira dhe këto natyrisht lënë pasoja, por fatmirësisht janë kapërcyer. Ka raste që edhe ju i njihni si IMSI Catcher që fatmirësisht është kthyer në Itali.
Blendi Fevziu: Në cilën fushë është bashkëpunimi më i mirë?
Alberto Cutillo:
Unë besoj se është në ekonomi, duke patur parasysh që pjesa më e madhe e produkteve shqiptare eksportohet në Itali. Unë nuk di që diçka e tillë të ndodhë me vendet e tjera. Unë i kushtoj shumë rëndësi bashkëpunimit edhe në aspektin kulturor. Duhet zbuluar historia e përbashkët e dy vendeve tona edhe në periudhën e diktaturës. Mendoj se ky është një kontribut i vogël për Shqipërinë, që ka patur një të shkuar të hidhur. Të gjitha vendet, madje edhe Italia e ka njohur diktaturën, ndaj duhet të kthejmë kokën pas në të shkuarën. Edhe të rinjtë duhet ta njohin të shkuarën, nuk duhet ta injorojnë atë që ka ndodhur në Shqipëri në vitet e komunizmit.
Blendi Fevziu: Edhe një pyetje, dua të di mendimin tuaj. Këto ditët e fundit po diskutohet shumë për një këmbim territoresh, le të themi korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ku përfshihet edhe Shqipëria si palë e tretë. Cili është opinioni i Italisë për këtë?
Alberto Cutillo:
Eshtë një temë delikate. Ne, Italia mendon se zgjidhja e problemit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë mund të vijë përmes dialogut që arrihet me ndihmën e Bashkimit Evropian. Kemi besim tek Bashkimi Evropian tek aftësia që ka për të ndihmuar të dyja vendet që të zgjidhin problemet që kanë njëherë e mirë. Le të presim dhe të shohim se çfarë do të zgjidhë dialogu. Nëse zgjidhja do të ishte këmbim territoresh, do të vlerësohet nga të gjithë, por e theksoj se Italia i beson Bashkimit Evropian dhe e mbështet në zgjidhjet e tij.
Blendi Fevziu: Si ndiheni në Shqipëri, Ambasador?
Alberto Cutillo:
Mirë, shumë mirë. Është vend mikpritës. Jetoj shumë mirë në Tiranë. Jam i kënaqur që në këta tre vjet kam kaluar shumë eksperienca të bukura dhe pozitive.
Blendi Fevziu:Ju falenderoj për intervistën.
Alberto Cutillo:
Faleminderit edhe ju.
/tvklan.al