Gazetarja: “Ishit në Prishtinë, ku u njoftuat për qëndrimin e Kosovës dhe planin e liderëve kosovarë prej katër pikësh mbi EULEX-in. Cili është rezultati i takimeve tuaja atje?”

Daniel Frid: “Unë e kuptoj shumë mirë se kosovarët kanë dyshime të forta dhe nuk e pranuan planin 6 pikësh, por ata pranuan vendosjen e misionit EULEX dhe ky është rezultati kyç i udhëtimit tim. Liderët kosovar përqafuan vendosjen e misionit EULEX në të gjithë Kosovën, në të gjithë territorin bazuar në mandatin fillestar të EULEX-it, i cili mbetet dhe mandati i tij i vërtetë dhe bazuar në ligjet në sistemin e tyre ligjor. Ky është një hap i rëndësishëm përpara, pasi do të thotë se Kosova është e përgatitur të shkojë përpara me Europën. Ky është një zhvillim i mirë dhe jam i sigurt se mund të punojmë mbi çështjet e mbetura. Kjo është e vështirë sepse Kosova është një shtet i ri dhe ka shumë paqartësi rreth sajë, por SHBA janë të vendosura në qëndrimin e tyre për integritetin, sovranitetin dhe të ardhmen europiane të Kosovës dhe ne do të punojmë me miqtë tanë kosovar për t’ia dalë mbanë”.

Gazetarja: “Jemi përballë dy planesh 1 prej 6 pikësh dhe 1 prej 4. Cili ju duket më i mirë? Dhe a ka ndonjë mundësi që Sekretari i Përgjithshëm Ban ki Moon të modifikojë planin ekzistues?”

Daniel Frid: “Është e vërtetë se kosovarët paraqitën 4 parimet e tyre pasi diskutuan me ne dhe ky nuk është një veprim unilateral nga ana e tyre. Ata na shpjeguan se cili është qëndrimi i tyre dhe unë se bashku me përfaqësues të BE-së në Kosovë punuam bashkë me ta dhe kjo është një bazë e mirë për të ecur përpara. Unë nuk mendoj se çështja e 6 pikave do të hapet sërish, është koha për t’i ndërprerë negociatat me Beogradin, mendoj se kjo gjë ka ndodhur dhe puna me ta ka mbaruar dhe mendoj se ne duhet të lëvizim përpara dhe nevojitet që EULEX të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës. kjo do ta ndihmojë Kosovën e cila ra dakord për këtë dhe ky është një hap i rëndësishëm përpara”.

Gazetarja: “Gjatë qëndrimit në Prishtinë deklaruat se respektoni vendimin e insitucionarëve kosovare për të kundërshtuar planin e Ban Ki Moon. Pak ditë para vizitës suaj Ambasadorja Amerikane në Kosovë Tina Kajdanov, tha se ajo është në favor të këtij plani. A mund të sqaroni qëndrimin zyrtarë të SHBA mbi këtë plan?”

Daniel Frid: “Duhet të jemi të qartë, ambasadorja Kajdanov ka plotësisht të drejtë, kur thotë se shumë element të planit 6 pikësh nuk janë të këqija, por çështja është se Kosova nuk i ka pranuar ato dhe ne respektojmë sovranitetin e Kosovës, ne respektojmë vendimin sovran të qeverisë së Kosovës, është vendi i tyre”.

Gazetarja: “Cili është mesazhi që BE po i dërgon serbëve në veri të Kosovës, kur deklaron se dhe pa një marrëveshje EULEX-i do të jetë plotësisht operacional në fillim të dhjetorit, por jo në pjesën veriore?”.

Daniel Frid: “EULEX duhet të shtrihet në të gjithë territorin përfshirë këtu dhe veriun pasi Kosova është një vend dhe nuk ka asnjë ndarje. Ne mbështesim decentralizimin e planit Ahtisaari njësoj si Prishtina. Është e vërtetë se EULEX do të shpërndahet në mbarë vendin, ndoshta do të ketë ndonjë marrëveshje të ndërmjetme, por ajo do të zbatohet në koordinim dhe konsultim me qeverinë e Kosovës. Pra mbi Prishtinën nuk do të ketë asnjë lloj imponimi, Kosova do të punojë me EULEX-in dhe do t’i ndërmarrë këto çështje hap pas hapi…”./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani