Pas mbështetjes së fortë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe ratifikimin unanim të protokollit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerësojnë dhe njëherë arritjet e Shqipërisë. Në një intervistë të dhënë në Bruksel për Televizionin Klan, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Daniel Frid, thotë se Shqipëria ka bërë progres dhe se ajo e kapi shansin duke bërë maksimumin.

Daniel Frid: “Do të ishte kënaqësi të vija në Shqipëri. Jam thjeshtë i lumtur nga progresi që vendi juaj ka bërë. Ju e kapët shansin tuaj, bëtë maksimumin tuaj dhe ja ku jeni. Bravo, ishte kënaqësi për mua”.

Po kështu zoti Frid vlerëson dhe arritjet e shtetit të ri të Kosovës dhe garanton se SHBA janë të vendosura për sa i përket integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.

Daniel Frid: “Liderët kosovar përqafuan vendosjen e misionit EULEX në të gjithë Kosovën, në të gjithë territorin bazuar në mandatin fillestar të EULEX-it, i cili mbetet edhe mandati i tij i vërtetë dhe bazuar në ligjet në sistemin e tyre ligjor. Ky është një hap i rëndësishëm përpara pasi do të thotë se Kosova është e përgatitur të shkoj përpara me Europën. Ky është një zhvillim i mirë e jam i sigurt se mund të punoj mbi çështjet e mbetura. Kjo është e vështirë sepse Kosova është një shtet i ri dhe ka shumë paqartësi përreth saj, por SHBA janë të vendosura në qëndrimin e tyre për integritetin, sovranitetin dhe të ardhmen europiane të Kosovës dhe ne do të punojmë me miqtë tanë kosovar për t’ia dalë mbanë”.

Nga ana tjetër pavarësisht se i kërkon qeverisë së Kosovës të  pranoj planin Ban ki Moon, për EULEX-in. Zoti Frid pranon se jo gjithçka është e mirë, gjithsesi duke garantuar se çdo gjë që do të bëhet për vendosjen e misionit do të bëhet në bashkëpunim me kosovarët./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani