Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Gazetarja: Cili është reagimi juaj për deklaratën e një dite më parë të zotit Salzman, nga ku theksohet ndër të tjera, se në Shqipëri po sundon ekonomia kriminale?

Sabri Godo: “Kemi dhe mesazhin e presidencës së Komunitetit Europian, disa ditë më parë dhe këtë intervistën që i ka dhënë Salzmani Deutsche Welles, dhe do të bëjmë shumë gabim në qoftë se i marrim këto si deklarata të individëve. Ky është një pasqyrim i qartë i mendimit, ose i vlerësimit që i bënë komuniteti shqiptar i gjendjes në Shqipëri dhe janë si mesazhe që i dërgohen një vendi në krizë të thellë, një njeriu që po mbytet. Më duket se është një gjendje mjaft shqetësonjëse dhe kësaj here me të vërtetë duhet të mendojmë mbi atë që duhet bërë. Shfaqet mosbesim ndaj klasës politike në tërësi, i bëhet thirrje shoqërisë civile, të thotë fjalën e vetë, dmth. të marrin përgjegjësitë tërë shqiptarët për atë që po ndodh, meqenëse ata që drejtojnë politikën, duket se nuk janë në gjendje ta nxjerrin këtë vend nga situata ku ndodhet. Ajo që kemi një ekonomitë kriminalizuar do të thotë, që këtë shtet e qeverisë mafia dhe jo një qeveri e dalë nga parlamenti. Të gjitha këto janë të mjafta për të arritur në përfundimin se gjëja e parë imediate që duhet bërë është që Nano të ikë, qeveria e tij të bjeri. Mbase do të ishte më mirë që Nano të qëndrojë andej nga ka shkuar, sepse nuk mbeti më vend në Shqipëri për të.”

Gazetarja: Në deklaratën e Salzman, të njëjtat kritika i drejtohen dhe liderit demokrat Sali Berisha.

Sabri Godo: “Unë do ta ndaja Berishën nga Nanoja, megjithatë kam për t’i bërë zotit Berisha dy sugjerime, e para të mos merret me gjëra anësore duke shpenzuar energji të kota vetëm e vetëm për të qenë në grindje në çdo ditë e në çdo rast, të merret kryesisht me këtë, me rrëzimin e qeverisë Nano dhe e dyta vetë Berisha duhet të shpallë kandidatin e së djathtës për kryeministër, të bëjë të njohur një emër dhe vetëkuptohet që nuk do të jetë emri i atij vetë. Kjo sipas meje do të sqaronte shumë ekuivoke, do të hiqte ato rezerva që ka e djathta ndaj PD dhe do të siguronte fitoren e së djathtës në zgjedhjet e ardhshme, të cilat mund të bëhen mirë, vetëm në rast se ndryshojmë qeverinë brenda Tetorit. Do ketë një qeveri të përkrahur nga parlamenti ashtu siç është ky parlament, ku bëhen pazarllëqe si për skuadrat e futbollit me deputetët, që të çojë vendin në zgjedhje. Është i vetmi shans që i mbetet Shqipërisë, përndryshe tani ndodhemi në udhëkryq, kurse po të bëjmë zgjedhje ashtu sikundër kemi bërë në të kaluarën, atëherë me të vërtetë marrim drejtimin e kundërt e asaj që na çon në Europë. Duhet të kemi mirë parasysh edhe këtë, të gjitha këto mesazhe që vijnë nga Europa, janë të tëra të mbështetura pa asnjë rezervë nga SHBA. Pra është tërë bota që po na fletë dhe më duket është duke na fol në mënyrë të atillë që nuk mbetet më vend për të bërë interpretime apo anashkalime sikundër kemi bërë deri tani. Duket se ka njerëz që nuk duan të dëgjojnë, atëherë këta duhet detyruar të dëgjojnë të hapin veshët, ose duhet detyruar të lënë vendin, për hir të asaj që të shpëtojë Shqipëria. Ata që vazhdojnë, që ngulin këmbë për të mbajtur Nanon në fuqi dhe qëndrojnë rreth tij, duhet tanimë të dinë, ministra, deputetë, funksionarët, se nuk i shërbejnë vendit, por po i shërbejnë vetëm karrigeve të tyre n ënjë kohë shumë kritike dhe në kurrizë të këtij vendi. Më duket se këto tashmë i ka të qarta dhe shqiptari më i thjeshtë, pavarësisht se sa ka mundësi ta shpreh mendimin e tij me zë të lartë siç po bëj unë.”/tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani