I betuar të enjten në Kuvend si kryetar i ri i Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, Arben Ristani, thotë në një intervistë për TV Klan se me gjithë kohën e kufizuar, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kuvend, angazhimi i këtij institucioni do të jetë maksimal.
Arben Ristani: “Ligji i ri mbart me vete vështirësinë e procesit i cili zhvillohet për herë të parë në këtë formë. Përveç kësaj nuk ka gjë tjetër që të mund të konsiderohet si vështirësi pasi në fakt procesi lehtëson procedurën në përgjithësi. Besoj që do të jetë dhe tensioni politik i cili shpesh herë ndikonte në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, do të jetë më i ulët pikërisht për këtë shkak pasi konkurrimi do të bëhet midis forcave politike dhe jo midis kandidatëve. Kodi i ri zgjedhor parashikon montimin e kamerave në vendet e numërimit të votave. Kshuqë kjo ndikon shumë në transparencën e procesit, nga ana tjetër unë besoj që nga qeveria do të kemi në kohë siç ju thash fondet dhe infrastrukturës dhe ne do të arrijmë dhe për këtë kohë që kanë ngelur, e cila vërtet është nën limitet e saj por nuk është e shkurtër”.
Për herë të parë, vendi do të zbatojë një sistem të ri elektoral atë proporcional-rajonal për këtë qëllim kryetari i KQZ-së u kujton partive politike detyrimet për të zbatuar me përpikmëri ligjin e ri elektoral të miratuar me shumicë konsensuale.
Arben Ristani: “Është risi e kodit ngritja e një regjistri për komisioner të cilët pasi të kalojnë në trajnim do të jenë të certifikuar dhe të regjistruar si njerëz të trajnuar dhe do të jetë një trup e cila duke qenë e trajnuar do të marri pjesë dhe në zgjedhjet në vazhdimësi. Në këto kushte mendoj që praktikat e mëparshme të cilat kanë sjellë vonesa dhe emërim-çemërim, e deri në minutën e fundit të paktën të ndërpriten”.
Në seancën e së enjtes, në kuvend u betuan 7 anëtarët e rinj të institucionit kryesor që administron zgjedhjet Arben Ristani, me detyrën e kryetarit të KQZ-së i përzgjedhur nga mazhoranca, Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni, si përfaqësues të PD-së në komision, Dëshira Subashi dhe Artan Laze, si përfaqësues të PS-së. Për republikanët Klement Zguri dhe Pandeli Varfi si përfaqësues i PSD-së. Të premten paradite komisioni do të zgjedh nënkryetarin që sipas ligjit elektoral i takon partisë më të madhe në opozitë./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
Operator: Klodian Keçi