Rreth 30 milion lekë të reja janë investuar nga komuna Buçimas në Pogradec në infrastrukturë, ku vëmendje të veçantë u është kushtuar zonave që shtrihen përgjatë liqenit të Ohrit. Kjo ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të pushuesve gjatë këtij sezonin turistik.
Në Tushemisht që është edhe zona më e frekuentuar për pushuesit, por edhe më e njohura në vend dhe jo vetëm kanë përfunduar disa investime të rëndësishme që përfshijnë, sistemimin dhe pastrimin e rërës së pazhit në një gjatësi prej 4 km. Gjithashtu ka përfunduar zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës së Tushemishtit si dhe ndriçimi i saj.
Roshi Tollozhani: “Arsyeja është shumë e thjeshtë që të krijojmë kushte sa më optimale për të zhvilluar turizmin, për prurje sa më të mëdhaja të turizmit që pa diskutim sivjet është ndjerë me investimet që janë bërë. Sepse aty do krijojmë dhe të ardhura”.
Tushemishti dhe Buçimasi në saj të këtyre investimeve janë kthyer në zonat më të frekuentuara për pushuesit, të cilët ndryshe nga vitet e tjera kanë gjetur kushte mjaft të mira të ujit të pastër, të liqenit dhe rërës. Nga ana e komunës Buçimas janë realizuar dhe disa investime të tjera në infrastrukturën rrugore ndërtime kopshtesh, shkollash dhe qendra shëndetësore./tvklan.al
Gazetare: Daniela Zisi