Edhe pse ka zgjidhur problemin e ujit të pijshëm Pogradeci do të vuaje dhe këtë verë ndotjen e liqenit nga derdhja e ujërave të zeza. Pak ditë pas hapjes së sezonit turistik numri i pushuesve është më i vogël se një vit më parë, kjo për shkak të frikës nga infeksionet dhe epidemitë.
Liqeni është i ndotur dhe i turbullt në pjesën më të madhe të tij.
Qytetari: “Është i qelbur uji, ja shiko ke ndonjë të futur në ujë, vetëm fëmijët.
Qytetarja: “Nuk është pastruar, akoma nuk është pastruar dhe ujërat e zeza kanë filluar për t’i hequr.”
Lidhur me këtë problem autoritetet e pushtetit lokal dhe të bashkisë së Pogradecit, pranojnë se derdhja e ujërave të zeza në liqen do të vazhdojë edhe për këtë verë.
Erion Vesho: “Është e vërtetë që projekti për kolektorin kryesor të ujërave të zeza dhe impiantin e pastrimit nuk ka përfunduar dot brenda kësaj vere. Janë marrë masat që të minimizohet derdhja e ujërave të zeza në liqen të paktën në territor dhe në pjesën ku zhvillohet plazhi.”
Projekti për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza ka filluar një vit më parë me financim të qeverisë gjermane. Përfundimi i tij pritet të zgjidhë përfundimisht problemin e papastërtisë të ujit, por edhe mbrojtjes së ekosistemit./tvklan.al
Gazetare: Daniela Zisi