Milani u rikthye të fitojë një debri ndaj Interit, pas gjashtë humbjeve radhazi. Triumfi 2-1 ka lënë një shije pozitive te trajneri i kuqezinjve, Paulo Fonseca, që para ndeshjes rrezikonte shkarkimin.

Tekniku portugez, deklaroi se ekipi i tij tregoi guxim për të marrë fitoren, ndërsa shtoi se asnjë skuadër nuk i ka krijuar kaq probleme Interit.

“Ishte derbi, Milani nuk e kishte fituar për një kohë të gjatë dhe sigurisht që ishte i rëndësishëm për formën tonë aktuale. Mendoj se lojtarët treguan shumë guxim dhe e merituam fitoren. Nuk mbaj mend të kem parë një ekip që i ka shkaktuar kaq shumë probleme Inter-it për një kohë të gjatë.

Unë nuk lexoj apo dëgjoj se çfarë thuhet në media. Di të them se kjo do të jetë një javë me pak më shumë besim, por gjëja e rëndësishme për mua është të vazhdoj të shoh lojtarët që besojnë në idetë tona. Ne e dimë se duhet të përmirësohemi, por kjo ishte një fitore për lojtarët sot”, deklaroi Fonseca.

Në krahun tjetër, trajneri i Interit, Simone Inzaghi, i dha merita kundërshtarit, duke theksuar se skuadra e tij bëri një qasje të gabuar dhe pranoi humbjen.

“Sigurisht që Milani është një ekip shumë i mirë. Ata bënë më mirë se ne këtë mbrëmje dhe e merituan fitoren. Ne kishim qasje të gabuar dhe nuk ishim mjaftueshëm ekip, gjë që është e rrallë për ne. Asnjërën nga pjesët nuk e nisëm me qëndrimin e duhur, u përpoqa të ndryshoja disa gjëra, por nuk e ndihmoi situatën. Ne nuk ishim të fortë, humbëm formën dhe e pësuam. Pati një periudhë pasi barazuam për rreth 20 minuta kur patëm disa raste të tjera shënimi, por më pas në pjesën e dytë u shfaqëm më keq se në të parën”, u shpreh Inzaghi.

Pas kësaj fitore, Milani ngjitet në vendin e shtatë me 8 pikë, po aq sa edhe Interi i vendit të gjashtë. /tvklan.al