Ish-këngëtari i “One Direction”, Liam Payne është gjendur i vdekur në Buenos Aires. Mediat shkruajnë se mbetet e paqartë nëse këngëtari është hedhur apo është rrëzuar aksidentalisht nga hoteli ku ishte duke qëndruar.
Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se pak para ngjarjes, policia kishte marrë raportime nga hoteli për një person që po sillej në mënyrë agresive dhe që mund të ishte nën efektin e drogës apo alkoolit.
Menaxheri i hotelit tha se dëgjoi një zhurmë të madhe në pjesën e pasme të hotelit dhe kur policia mbërriti zbuloi se një person kishte rënë mbi ballkonin në dhomën e tij, thuhet në deklaratë. Besohet se Payne ndodhej në Argjentinë për pushime me të dashurën e tij Kate Cassidy.
Punonjësit e urgjencës konfirmuan vdekjen e këngëtarit britanik, i cili u gjet në oborrin e brendshëm të hotelit. “Zemrat tona janë absolutisht të thyera. Urojmë që familja e të dashurit e tij të gjejnë forcë në këtë moment të vështirë”, shkruante dega e MTV-së në Amerikën Latine, në një postim në platformën e mediave sociale X.
Vdekja e Payne është pa dyshim një lajm tronditës për fansat e shumtë të “One Direction”, që për një periudhë kohe ishin banda më e famshme muzikore e Pop-it në botë.
Liam Payne fitoi famë botërore si pjesë e grupit pop tashmë të shpërbërë ‘One Direction’, së bashku me Harry Styles, Zayn Malik, Niall Horan dhe Louis Tomlinson. Grupi i djemve u shpërbë në vitin 2016 pasi anëtarët e tij vijuan me projekte të ndryshme, përfshirë karriera si solistë.
Në fillim të këtij muaji Liam Payne kishte marrë pjesë në koncertin e shokut të tij Niall Horan, në Buenos Aires. Muzikanti ka folur shpesh për betejën e tij me varësinë nga droga dhe për kohën që ka shpenzuar në një institucion rehabilitimi.
Klan News