E dashura e Liam Payne, Kate Cassidy ka thyer heshtjen mbi vdekjen tragjike të yllit të One Direction. Në një intervistë për The Sun, ajo ka zbuluar edhe arsyen pse nuk ndodhej në Argjentinë me të.
Fillimisht ajo shprehet se është ende e shokuar nga humbja e tij.
“Nuk më duket plotësisht e vërtetë që ai s’është këtu. Po përpiqem të jem sa më mirë mundem, por jeta ime ka ndryshuar shumë. Mendoj për Liam çdo sekondë të ditës”.
Në tetor ajo zbuloi se këngëtari kishte plane për martesën. “Që nga momenti që e njoha Liam, besoja vërtet se ishim shpirtra binjakë”, tha Cassidy.
Çifti ishte me pushime në Argjentinë në periudhën që ndodhi vdekja e tij, por 25-vjeçarja u kthye në SHBA. Ajo thotë se s’ishte hera e parë që ata udhëtonin “veçmas” dhe ajo duhej të kthehej në Florida që të kujdesej për qenin e tyre.
“Kishim qenin dhe sigurisht që s’e mendoja kurrë se do të ndodhte kjo. Dashuria është kaq optimiste dhe ti shpreson që çdo gjë do të funksionojë. Sigurisht nëse do ta dija, nëse do të mund të shihja të ardhmen, nuk do të isha larguar kurrë nga Argjentina”, vijon modelja. Një burim për The Post ka thënë se Liam “iu përgjërua që të qëndronte”.
Kate e ndien veten me fat që s’e mësoi lajmin nga rrjetet sociale. Ajo ndodhej në shtëpi me qenin duke shfletuar TikTok-un kur një prej shokëve të këngëtarit e telefonoi për t’i dhënë lajmin e hidhur.
Reagimi i saj i parë ishte humbja e vetëdijes. Ajo nuk e besonte pasi mendonte se ishte thjesht thashethem ose shpifje për klikime.
Cassidy thotë se asaj iu desh kohë ta pranonte lajmin dhe vazhdonte “ta telefononte” këngëtarin.
E pyetur për arsyen që mund ta ketë shtyrë Liam të shkonte në atë gjendje, ajo tha: “Nuk mendoj se dua t’i përgjigjem kësaj sepse vërtet nuk e di”. Ajo nuk foli as për hetimin policor por tha se “nuk ka asnjë faj”./tvklan.al