Parlamenti i Islandës votoi në unanimitet pa asnjë votë kundër ratifikimin e protokollit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në këtë moment Islanda bëhet vendi i 23 që përmbyll ketë proces për të cilin duhet të shprehen ende edhe 3 vende të tjera të aleancës.
Seanca plenare e pasdites së të enjtes përkoi dhe me vizitën e ministrit të jashtëm Lulzim Basha në Islandë. Basha tha, se ky vendim i parlamentit të Islandës, vjen pasi qeveria shqiptare ka dhënë prova në përmbushjen e standardeve, që rendisin Shqipërinë përkrah vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s.
Lulzim Basha: “Unë sot kam zhvilluar takimin zyrtar me homologun tim islandez, një takim i cili është përqendruar në çështje të bashkëpunimit dypalësh, por ne veçanti sigurisht edhe në çështjen e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, sepse siç dihet Islanda përveç krizës ekonomike që përjetoi duke filluar që nga tetori, pati dhe një ndërrim qeverie, e cila sigurisht ngriti shqetësim se mos jo për shkak të vullnetit politik apo mungesës së vullnetit politik, por për shkak të këtyre ndryshimeve mund të rrezikonte datën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Disa orë më vonë u ftova në parlamentin islandez, ku vetë ministri i jashtëm islandez mbrojti me argumente të qarta, duke u mbështetur në reformat, progresin e bërë nga Shqipëria, rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon. Mbështeti plotësisht votimin, ose le të themi më mirë mbështeti miratimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Besimi i faktorit ndërkombëtar tek Shqipëria si një partner i devotshëm, si një aleat i besueshëm me sa duket ka ndikuar edhe në këtë proces, i cili vlen të theksohet se është historikisht procesi më i shkurtër i ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit.”
Me homologun e tij islandez, ministri Basha diskutoi dhe mbi bashkëpunimin e dy vendeve, në fushat me interes të përbashkët si energjia, turizmi dhe teknologjia./tvklan.al