Lajme Arkiva 2003

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka vizituar mbrëmë Panairin e 6-të të Librit dhe ka qëndruar për rreth 2 orë pranë stendës së shtëpisë botuese “Onufri”  duke firmosur librat për të gjithë lexuesit e tij. Edhe pse dy librat e fundit të nxjerrë në treg nga Kadare nuk kanë qenë pranë shtëpisë botuese “Onufri”, ai shprehet se asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhëniet mes tij dhe botuesit.

Gazetarja: Megjithëse shtëpisë botuese “Onufri” i jeni larguar këto kohë, kjo ka ndodhur për arsye të ndryshme dhe a do të riktheheni sërish këtu apo do të vazhdoni të botoni në shtëpi tjetër botuese?

Ismail Kadare: Fjala larguar nuk hyn. Ky është botuesi im siç ka qenë. Unë kam edhe një botues tjetër që kam botuar dy librat e fundit. Kjo nuk do të thotë asgjë, është krejt normale e kam thënë disa herë. Të gjithë shkrimtarët në botë kanë, 3-4, a 5-6 botues disa herë dhe është krejt normale. Unë për një kohë të gjatë nuk e kam ndërruar botuesin por kam bërë një inkursant të shkurtër. Kjo nuk do të thotë as ndërrim dhe as largim. Është një gjë normale, po e përsëris për të gjithë shkrimtarët e kësaj bote.

Gjithashtu shkrimtari i njohur ka vënë theksin edhe në befasimin që ka hasur me lexuesit e tij, të cilët sipas tij kanë filluar ti kthehen zhanrit të poezisë. Shtëpia botuese “Onufri” në përmbledhje të 40 vjershave të përzgjedhura nga vetë autori në vite, nën titullin “Ca pika shiu ranë mbi qelq”.

Ismail Kadare: Konstatoj me një gëzim shumë të madh se kam botuar një libër me vjersha pas 20 vjetësh dhe shitet shumë, kërkohet shumë. Kërkimi i poezisë nga lexuesi tregon një nivel të lartë të lexuesit shqiptar dhe kjo është një gjë e mrekullueshme për shqiptarët.

Gazetarja: Kjo ndoshta ju vë përpara detyrimit për t’ju kthyer paksa sërish poezisë?

Ismail Kadare: Nuk besoj se është një argument, por poezinë e lëvrojnë shumë poetë, nuk është e thënë që të duhet në këtë rast ndërhyrja ime, ka poetë të tjerë, por gjë e gëzueshme është që lexuesi e kërkon poezinë e mirë sepse poezia shitet me shumë vështirësi në botë./tvklan.al