Skema e kreditimit të bizneseve të vogla e të mesme falë një financimi të qeverisë italiane prej afro 30 milion eurosh, fillon zbatimi brenda disa ditësh.

Drejtorja e këtij programi zonja Laura Grezda tha, se numri i bizneseve përfituese mendohet të jetë mjaft i madh fale riqarkullimit të kredisë.

Laura Grezda: “Në qoftë se një biznes është regjistruar në Shqipëri, zotërohet kapitali themeltar më shumë se 51% zotërohet nga nënshtetas shqiptar. Ka një xhiro vjetore jo më shumë se 5 milion euro, ka jo më shumë se 80 punonjës dhe prezanton një projekt specifik nga 50 mijë deri në 500 mijë euro, atëherë ky biznes futet në kushtet fillestare për të përfituar nga ky program.”

Por në ç’mënyrë do të kryhen aplikimet? Bizneset mund të aplikojnë pranë degëve të 5 bankave tregtare në të gjithë vendin, të përzgjedhura për këtë program.

Në dallim nga kredia për biznesin që aplikojnë bankat në vend, ky program u mundëson sipërmarrësve interesa të paktën 3% më të ulëta se ato të tregut për euron, si dhe mund t’iu mbulojë garancinë për kolateralin.

Laura Grezda: “Në qoftë se është e sektorit të prodhimit, agrikulturës, për prodhimin e energjisë hapen vende të reja pune. Në qoftë se biznesi ndodhet në zona më pak të zhvilluar, ky biznes futet në atë sektor prioritar që përfshin kushte më favorizuese se sa janë kreditë tashmë në treg. Në rast se biznesi nuk do të ketë mundësi të marri kredi nga këto banka për mungesë kolaterali. Atëherë ky biznes, ky plan biznesi do të hyjë në skemën e garantimit të kredisë. Në qoftë se i gjithë dokumentacioni është i rregullt, biznesit do ti duhet 35 ditë pune për të marrë paratë për këtë kredi.”

Për të përfituar kredi nga ky program bizneset do të duhet që të paktën 70% të shumës ta shpenzojnë për blerje mjetesh apo shërbimesh në Itali, ndërsa pjesën tjetër në vend./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro