Banka e Shqipërisë duke analizuar ambientin e trazuar ekonomik botëror, shprehet se materializimi i rënies së remitancave dhe i shtrëngimit të kreditimit nga bankat shqiptare, mund të ngadalësojë rritjen ekonomike gjatë 2009, krahasuar kjo me atë të një viti më parë.

Megjithatë Banka Qendrore thekson se një rritje më e ulët ekonomike nuk përkthehet medoemos në krizë për Shqipërinë, përsa kohë që ajo është një zhvillim i përkohshëm i faktorëve të jashtëm.

Gjatë analizës monetare për gjysmën e dytë të 2008, BSH konstaton një ngadalësim të rritjes së kredisë për individët dhe veçanërisht të kredisë në valutë.

Rënie ka njohur sidomos kredia për blerje banesash, ndonëse çmimet e banesave në 3 mujorin e katërt të 2008 pësuan një rënie të lehtë vjetore me 0.9%. Në raport thuhet se kostoja e kredisë në valutë ka vijuar të mbetet e lartë, pavarësisht kushteve monetare lehtësuese në tregjet ndërkombëtare.

Ndërsa depozitat kanë vijuar prirjen rritëse të gjysmës së parë të vitit më përjashtim të dy muajve të fundit, ku pati një ngadalësim me rreth 15%, për shkak të tërheqjes së një pjese të vogël të depozitave.

Në raport vërehet se në 3 mujorin e katërt leku është nënçmuar kundrejt dollarit amerikan dhe monedhës Europiane respektivisht me 13.1 % dhe 1.2 %. Ndërsa dërgesat e emigrantëve regjistruan një rënie vjetore prej 28% gjatë 3 mujoritt ë tretë të 2008. Gjatë vitit të kaluar 50 % e totalit të investimeve shkojnë në favor të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Për t’u theksuar është edhe ulja me 1.5% e normës së papunësisë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro