Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i ka thënë Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Cameron se Izraeli do t’i marrë vetë vendimet se si do i përgjigjet sulmit iranian me 300 dronë e raketa.
Gjatë bisedimeve ku qeveria britanike kishte fokus që të ndihmonte në parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, Netanyahu tha se qeveria e tij do të bëjë gjithçka të jetë e nevojshme që të mbrojë veten.
Nga ana tjetër, Lord Cameron i tha atij se çdo përgjigje duhet të jetë e zgjuar dhe e kufizuar. Duke folur me gazetarët në Jerusalem pas takimit me Netanyahun, Cameron tha se ishte atje për të demonstruar solidaritet pas sulmit të Iranit.
“Ne shpresojmë që çdo gjë që Izraeli bën të jetë sa më e kufizuar dhe sa më e zgjuar që të jetë e mundur. Nuk është në interesin e askujt që ne të shohim përshkallëzimin dhe kjo është ajo që ua thamë shumë qartë të gjithë njerëzve me të cilët kam folur këtu në Izrael.”
Ndërkohë, Netanyahu është zotuar vazhdimisht se do të hakmerret ndaj sulmit të Iranit me raketa dhe dronë në drejtim të territorit izraelit./tvklan.al