Izraeli po kërkon të nxjerrë jashtë ekzistencës agjencinë e ndihmës së OKB-së për palestinezët, UNRWA, ka thënë komisioneri i saj i përgjithshëm, disa ditë pasi 18 persona u vranë kur avionët izraelitë bombarduan një shkollë UNRWA në Gaza.
Komisioneri i përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini tha në një intervistë se qeveria izraelite po kërkonte mbylljen e agjencisë, pasi nuk arriti të bindë donatorët perëndimorë që të ndalojnë financimin e saj për shkak të pretendimeve për lidhjet midis stafit të Unrëa dhe Hamasit.
“Kjo përpjekje e qëllimshme për të eliminuar UNRWA-n dhe për të parandaluar funksionimin e saj do të kishte pasoja shkatërruese për sistemin shumëpalësh, OKB-në dhe kauzën e një tranzicioni palestinez drejt vetëvendosjes,” tha Lazzarini.
Të mërkurën, UNRWA tha se gjashtë anëtarë të stafit ishin vrarë në dy sulme ajrore që goditën shkollën al-Jaouni në Nuseirat, në Gaza qendrore, numri më i lartë i të vdekurve në mesin e stafit të saj në një incident të vetëm.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se sulmet vranë nëntë anëtarë të Hamasit, tre prej të cilëve ishin punëtorë të UNRWA.
Unrëa, një nga agjencitë më të mëdha të OKB-së, ka 13,000 persona staf që punojnë në Gaza dhe më shumë se 30,000 në rajon duke ofruar lehtësira shëndetësore dhe arsimore për refugjatët palestinezë./tvklan.al