Izraeli kishte mundësi të vriste liderin e Hamasit, Yahya Sinwar, por vendosi që të mos e bënte për shkak se do të vriteshin edhe pengjet që mbante afër.

Këtë fakt e ka zbuluar media izraelite N12. Sipas kësaj media, Izraeli kishte marrë informacion për vendndodhjen e liderit të Hamasit dhe kishte mundësi që ta eliminonte përmes një sulmi.

Por për faktin që lideri i Hamasit mban afër pengjet, një operacion i tillë do të ishte i rrezikshëm, pasi do të rrezikonte jetën e tyre.

Sinwar, i cili u bë lideri politik i Hamasit pas vrasjes së Ismail Haniyeh, dyshohet se fshihet nën tunelet në Gaza. Sipas medias izraelite, Yahya Sinwar mban rrotull vetes pengjet qëllimisht si mburojë për të mos u vrarë nga Izraeli.

Ndërsa televizioni shtetëror saudit Al Arabiya raportoi se lideri i Hamasit u zhvendos në Gaza pasi mësoi për vrasjen e liderit të Hezbollahut nga një sulm ajror.

/tvklan.al