Për shumë ekspertë vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar mund të jetë një pikë kthese në luftë.

“Sinwar ishte një pengesë për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi që do të lironte 101 pengjet e mbetura në këmbim të një ndërprerjeje të përkohshme ose të plotë të konfliktit në Gaza.”

Sipas ekspertit të sigurisë Jonathan Land shumë shpresojnë se me vdekjen e Sinwarit udhëheqja e re do të gjejë një mënyrë për t’i dhënë fund këtij konflikti.

“Varet se kush do të pozicionohet në vend të Sinwarit. Aktualisht, qeveria izraelite është skeptike se një marrëveshje pengjesh që i jep fund konfliktit është në interes të Izraelit nga perspektiva e sigurisë.”

Udhëheqësit perëndimorë thanë se vdekja e tij ofroi një mundësi për përfundimin e konfliktit.  “Vdekja e Sinëarit i jep fund një mbretërimi terrori. Hamasi duhet të lirojë pengjet dhe të mos luajë asnjë rol në të ardhmen në qeverisjen e Gazës”, tha kryeministri kanadez Justin Trudeau në një postim në X.

“Duhet t’i jepet fund dhunës dhe te ndalet vuajtja e palestinezeve,” tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell në rrjetin sociale X.

Grupi militant Hezbollah ka deklaruar se me vdekjen e liderit të Hamasit, lufta po kalon në një fazë të re. Gjithashtu edhe Irani ka bërë të ditur se me vrasjen e Sinwar rezistenca do të forcohet. Kreu i Hamasit u vra gjatë një sulmi në Gazën jugore të mërkurën nga trupat izraelite.

Klan News