Ushtria izraelite publikoi të premten një video të re që sipas saj tregon sulmin me tank ndaj një ndërtese në Gaza, ku dyshohet se u vra kreu i ri i Hamasit, Jahja Sinuar. Siç shihet edhe në pamje, një tank izraelit qëllon ndaj ndërtesës disakatëshe ku qëndronte i plagosur shefi i Hamasit.

Ndërsa ky filmim me dron i publikuar po nga ushtria izraelite tregon momentet e fundit të jetës së Jahja Sinuar. Lideri i Hamasit shfaqet i ulur në një kolltuk të kuq në banesën gati të rrënuar nga një sulm i ushtrisë izraelite në zonë. I mbuluar në pluhur, në një moment ai hedh drejt dronit një objekt të gjatë metalik.

Ndërsa në këtë filmim tjetër, Sinuar shfaqet i pajetë në të njëjtin vend. Identifikimi i kufomës u bë pas analizave të ADN-së të Enjten, të dhënat e të cilave autoritetet izraelite i ruajnë që kur ai ka qenë i burgosur në Izrael.

Vrasja e arkitektit të sulmit të 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, ku u vranë 1200 izraelite u shoqërua me festë në disa qytete të vendit. Kryeministri Benjamin Netanjahu tha megjithatë se lufta do të vazhdojë deri kur Hamas të dorëzojë armët dhe të lirojë të gjithë pengjet.

Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden përgëzoi Tel Avivin për vrasjen e atij që e konsideroi si lider terrorist dhe i bëri thirrje Netanjahut për armëpushim në Rripin e Gazës. Në të njëjtën linjë edhe presidentja e Komisionit Europian, sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe liderë të tjerë perëndimorë.

Tv Klan