Këto janë momentet kur trupat izraelite tërheqin nga rrënojat trupin e pajete të liderit të ri të Hamasit, Yahya Sinwar. I cilësuar si arkitekti i sulmit të 7 tetorit të vitit të shkuar që çoi në një luftë mes Izraelit dhe Gazës, ai u vra të enjten në Gaza nga ushtria izraelite. Por vrasja e udhëheqësit të Hamasit u konfirmua vetëm pas analizës së ADN-së dhe analizave të tjera si gjurmë të gishtave dhe ato dentale, të një prej trupave të tre militantëve të vrarë gjatë këtij operacioni.

Kryeministri Beniamin Netanjahu deklaroi se Sinwar u vra teksa po tentonte t’i shpëtonte forcave të ushtrisë dhe se ajo i jep fund pushtetit të Hamasit në Gaza.

“I kemi dhënë fund llogarive të hapura ndaj Sinwar, por beteja nuk ka përfunduar. Ne do të vazhdojmë me të gjitha forcat derisa pengjet e mbetura të kthehen në shtëpi”.

Lajmi i vrasjes së Sinuar është mirëpritur nga liderët perëndimore. Presidenti Joe Biden me anë të një deklarate e krahasoi vrasjen e Sinwar-it të ngjashëm me atë të Osama Bin Laden në vitin 2011.

“Kjo është një ditë e mirë për Izraelin, për Shtetet e Bashkuara dhe për botën. Tani ka një mundësi për të menduar për të ardhmen e Gazës pa Hamasin në pushtet dhe për një zgjidhje politike që ofron një të ardhme më të mirë për izraelitët dhe palestinezët. Yahya Sinwar ishte një pengesë e pakapërcyeshme për arritjen e këtyre synimeve”.

Edhe presidenti francez Emanuel Macron Franca kërkoi lirimin e të gjithë pengjeve ende të mbajtura nga Hamasi. Vrasja e liderit të Hamasit, i dyti në një kohë shkurtër pas Ismael Haniyehit në korrik nga një sulm izraelit në Teheran shihet si një mundësi për dhënien fund të konfliktit në Gaza dhe i realizimit të dorëzimit të shtetasve izraelit të mbajtur peng prej një viti.

Tv Klan