Nga Izraeli nuk ka më pengesa për paqen në Gaza. Marrëveshja e shumëpritur e armëpushimit me Hamasin u miratua nga kabineti i luftës duke i hapur rrugë ndalimit të luftës dhe kthimit të pengjeve.

Armëpushimi do të ndalojë luftimet midis Hamasit dhe forcave izraelite që kanë rrafshuar një pjesë të madhe të Gazës dhe ka vrarë mbi 46,000 vetë e zhvendosur shumicën e popullsisë së enklavës.

Por vetëm pak orë para se të merrte këtë vendim, Izraeli vijoi sulmet në Gaza edhe të premten, ku avionët luftarakë vazhduan me sulme të rënda duke vrarë të paktën 101 palestinezë, përfshirë 58 gra dhe fëmijë.

Sipas fazës së parë gjashtëjavore të marrëveshjes me tre faza, Hamasi do të lirojë 33 pengje izraelitë, duke përfshirë të gjitha gratë (ushtarë dhe civilë), fëmijët dhe burrat mbi 50 vjeç.

Izraeli do të lirojë deri në fund të fazës së parë të gjitha gratë dhe fëmijët palestinezë nën 19 vjeç që mban në burgje. Numri i përgjithshëm i palestinezëve të liruar do të varet nga pengjet e liruar dhe mund të jetë midis 990 dhe 1650 palestinezë, duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë.

Ky plan nuk u ka pëlqyer radikalëve të djathtë, aleatë të Netanjahut. Ata kërkojnë vazhdimin e luftës deri në zhdukjen e plotë të Hamasit. Mbështetësit e tyre protestuan duke bllokuar autostradat në Jeruzalem. Ndërsa Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir paralajmëroi dorëheqje, por jo nisma për rrëzimin e qeverisë.

Tv Klan