Izraeli ka kryer sulmin më madh ajror në të gjithë Libanin që kur ra dakord për një armëpushim me Hezbollahun javën e kaluar, duke vrarë të paktën 11 persona.
Sulmet erdhën pasi grupi militant libanez hodhi breshëri predhash si një paralajmërim mbi atë që e cilësoi shkelje të armëpushimit izraelit. Predhat ishin të parat të hedhura nga Hezbollahu pas hyrjes në fuqi të armëpushimit 60-ditor të mërkurën e kaluar.
Autoritetet libaneze bën të ditur se bastisjet nga ushtria izraelite vranë pesë persona në Haris dhe gjashtë në Talloussah në Libanin jugor. Megjithëse sipas paktit të armëpushimit të gjitha palët duhet të ndalin luftimet, Izraeli ka kryer sulme pothuajse të përditshme kundër Libanit. Mediat libaneze kanë raportuar gjithashtu se ushtria izraelite po përdor armëpushimin për të avancuar në lagje të reja në qytetet ku kishte hyrë gjatë luftës.
Kryetari i parlamentit libanez Nabih Berri, një aleat i Hezbollahut, i cili ishte kryenegociatori i Libanit në bisedimet e armëpushimit, theksoi se Izraeli e ka shkelur me dhjetëra herë marrëveshjen, duke përfshirë kryerjen e sulmeve ajrore dhe dëmtimin e shtëpive pranë kufirit.
Gjithsesi, Uashingtoni shprehu besim se marrëveshja e armëpushimit do të zbatohet. “Në përgjithësi, armëpushimi ka qenë i suksesshëm në ndalimin e luftimeve ku nuk po shohim humbjet të mëdha të jetëve që kishim parë për dy muaj më parë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller. Ai tha se administrata e SHBA do të punojë përmes një mekanizmi monitorimi të krijuar nga marrëveshja për të adresuar shkeljet e mundshme të armëpushimit.
Ndërkaq OKB-ja ka deklaruar se se aksesi në ushqim është në nivelin më të ulët historik në të gjithë Rripin e Gazës, ndërsa bllokada e Izraelit vazhdon, me disa palestinezë në veriun e rrethuar që raportojnë se furnizimet po mbarojnë plotësisht. Nga ana tjetër presidenti i sapozgjedhur Donald Trump kërkoi lirimin e menjëhershëm të pengjeve izraelitë të mbajtur nga grupi militant palestinez Hamas në Gaza, duke thënë në mediat sociale se nëse ata nuk lirohen para se ai të marrë detyrën në janar “do t’a paguajnë në ferr”.
Klan News