Në video shihen raketa që fluturojnë mbi Tel Aviv ndërsa sirenat ranë në të gjithë Izraelin qendror. Pjesë e sulmeve të Libanit ishte edhe qyteti Ramat Gan.
Ndërkohë ushtria izraelite goditi qendrën e Bejrutit duke vrarë të paktën katër persona dhe plagosur disa të tjerë. Në shenjestër ishte zona Zuqaq al-Blat, ku ndodhet selia e qeverisë libaneze. Kjo është dita e dytë radhazi që Izraeli godet një objektiv brenda kryeqytetit.
Ndërkohë Hezbollahu ka rënë dakord për një propozim të SHBA-së për armëpushim sipas një zyrtari të lartë libanez. Detajet ende mbeten për t’u diskutuar derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Mësohet se më herët rreth 100 kamionë me ndihma të OKB-së janë grabitur në mënyrë të dhunshme në Gaza. Drejtuesit e mjeteve u detyruan nën kërcënimin e armëve që të shkarkojnë ndihmat.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara paralajmëruan se situata në enklavën palestineze po përkeqësohej. Ndërsa Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy kërkoi që të shtohet ndihma.
Ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield i tha Këshillit të Sigurimit se Uashingtoni po vëzhgonte nga afër veprimet e Izraelit.
Klan News