Izraeli kreu sulme të fuqishme kundër qytetit portual të Jemenit në Detin e Kuq, Hodeidah, në përgjigje të sulmeve të grupit Houthi. 3 persona u vranë dhe 87 u plagosën, shumë prej tyre me djegie të rënda si rezultat i sulmeve izraelite, ndërsa sulmet ajrore kishin në shënjestër objektet e naftës dhe një stacion energjie.
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në të gjithë qytetin gjatë bombardimit intensiv dhe forcat e mbrojtjes civile dhe zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin zjarret në rezervuarët e naftës të portit.
Zëdhënësi ushtarak i Izraelit tha se porti ishte përdorur nga Houthis për të marrë dërgesa armësh nga Irani. Këshilli i Lartë Politik i Houthis tha se do të kishte një “përgjigje efektive” ndaj sulmeve dhe se nuk do të hezitojnë të godasin objektivat e armikut. Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha se vendi i tij synonte t’i dërgonte një mesazh lëvizjes Houthi.
“Flakët që u përhapën në Hodeidah, shihet në të gjithë Lindjen e Mesme dhe mesazhi është i qartë. Kushdo që na dëmton do të paguajë një çmim shumë të rëndë për agresionin e tyre,” tha ai në një fjalim televiziv.
Sulmet ajrore u kryen 1 ditë pasi Houthis morën përgjegjësinë për një sulm me dron që vrau një person në Tel Aviv dhe plagosi 10 të tjerë. Është hera e parë që Izraeli i është përgjigjur drejtpërdrejt atyre që thotë se kanë qenë qindra sulme me dronë dhe raketa jemenase të drejtuara në territorin e tij në muajt e fundit.
Ndërkaq, mëngjesin e së dielës, ushtria izraelite rrëzoi një raketë të lëshuar nga Jemeni përpara se të kalonte në hapësirën ajrore të Izraelit. Sirenat ajrore u aktivizuan në portin Eilat të Detit të Kuq të Izraelit pas rënies së copëzave të raketës.
Ky sulm pason një përshkallëzim midis forcave izraelite dhe milicisë së Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Libanin jugor dhe vjen ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu do të udhëtojë në Uashington, ku do të mbajë fjalim në Kongresin e SHBA.
Netanyahu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rrisë presionin ndaj Teheranit dhe përfaqësuesve të tij – Houthis, Hamas dhe Hezbollah në mënyrë që të sigurojë rrugët tregtare ndërkombëtare.
Klan News