Sulmet e reja me dron nga Izraeli synuan sërish periferinë jugore të Bejrutit, Dahiyeh. Gjatë natës pati një breshëri sulmesh ajrore izraelite që kishin në shënjestër një komandant të Hezbollahut. Izraeli pretendoi se ka vrarë komandantin e selisë së Hezbollahut, Suhail Hussein Husseini, në një sulm në Bejrut. Husseini ishte përgjegjës për transferimin e armëve nga Irani dhe shpërndarjen e armëve tek njësitë e ndryshme të Hezbollahut.
Nëse konfirmohet, vdekja e Suhail Hussein Husseini do të ishte rezultat i strategjisë së Izraelit për të shkaktuar goditje të mëdha duke vrarë liderët dhe komandantët e Hezbollahut dhe aleatit të tij Hamas. Izraelitët po vijojnë të godasin pjesët më të populluara të vendit. Shumë njerëz janë larguar nga Dahiyeh, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë pavarëisht sulmeve intensive. Në Libanin jugor, rreth 130 qytete dhe fshatra janë urdhëruar të evakuohen nga ushtria izraelite.
Ndërkaq Irani ka paralajmëruar Izraelin kundër çdo sulmi ndaj Republikës Islamike, një javë pasi Teherani lëshoi një breshëri raketash duke vënë në rrezik Lindjen e Mesme. Çdo sulm ndaj infrastrukturës së Iranit do të përballet me hakmarrje, tha ministri i Jashtëm Abbas Araqchi. Izraeli as nuk ka mohuar dhe as nuk ka pohuar një kundërpërgjigje pas sulmit me raketa balistike të Teheranit javën e kaluar. Udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid ka deklaruar se nevojitet mbështetje e gjerë ndërkombëtare përpara se Izraeli të hakmerret kundër Iranit për sulmin raketor.
Klan News