Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer 480 sulme në Siri gjatë 48 orëve të fundit, duke shkatërruar 15 anije dhe vende të prodhimit të armëve kimike në disa qytete.

Të paktën dy civilë janë raportuar të vrarë. Ushtria izraelite deklaroi se ka shkatërruar deri në 80% të aftësive ushtarake të Sirisë në atë që ajo e quajti një nga operacionet më të mëdha sulmuese në historinë e saj.

Qeveria e Netanyahut u shpreh se grupet ekstremiste që kërcënojnë Izraelin nuk duhet të kenë në dorë armë të tilla. Në anën tjetër, forcat rebele siriane kanë marrë edhe kontrollin e qytetit lindor të pasur me naftë, Deir al-Zour.

Për këtë arritje të rebelëve sirianë, ka reaguar udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei. Ai tha se kishte prova se përmbysja e Presidentit Bashar al-Assad ishte rezultat i një plani të SHBA-së, Izraelit dhe një prej fqinjëve të Sirisë, të cilin ai nuk e përmendi.

Irani ishte një nga mbështetësit kryesorë të qëndrimit të Asad në pushtet. Një reagim ka bërë edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan që u shpreh se shpresonte që destabiliteti në Siri do të përfundonte me një marrëveshje në përputhje me kërkesat e popullit.

Papa Francesku tha gjithashtu se po ndiqte me kujdes atë që po ndodhte në Siri duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhjeje pa konflikte apo përçarje të tjera.

Tv Klan