Arritja e një armëpushimi mes grupit Hezbollah dhe Izraelit mund të jetë e afërt. Kabineti izraelit do të votojë për një marrëveshje armëpushimi me Libanin ditën e martë. Edhe ambasadori izraelit në Uashington Mike Herzog tha se brenda pak ditësh mund të arrihet një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.
Më herët, media amerikane CNN bëri të ditur se kryeministri Benjamin Netanyahu ka pranuar në parim gjatë një mbledhjeje me këshilltarë të sigurisë të dielën, nisjen e një armëpushimi sipas propozimit të Shteteve të Bashkuara, që iu prezantua palëve javën e kaluar nga i dërguari i Uashingtonit Amos Hochstein.
Sipas propozimit, fillimisht palët do të angazhohen për një armëpushim dy mujor, gjatë të cilit trupat izraelite do të tërhiqen nga Libani, ndërsa Hezbollahu do të largojë forcat e tij të armatosura përgjatë kufirit jugor.
Po sipas propozimit tërheqja reciproke të trupave të armatosura do të pasohet nga vendosja e mijëra ushtarëve libanezë për të vëzhguar këtë kufi krahas forcës paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, që vepron atje.
Në mesin e çështjeve që ende po negociohen janë kërkesa e Izraelit për të rezervuar të drejtën që të veprojë nëse Hezbollahu shkel detyrimet e përcaktuara në marrëveshje. Përpjekjet diplomatike vijnë teksa Izraeli dhe Hezbollahu vazhdojnë bombardimet. Izraeli sulmoi periferitë jugore të Bejrutit pas sulmeve me qindra raketa të Hezbollahut në pjesët veriore e qendrore të Izraelit.
Klan News