Pas armëpushimit në Gaza, ushtria izraelite ka nisur prej 4 ditësh një operacion në territorin tjetër palestinez të Bregut Perëndimor, kundër atyre që konsiderohen si grupe terrirosite nga Tel Avivi.
Që prej të martës janë vrarë 12 persona në Xhenin. Forcat izraelite kanë arrestuar deri më tani 22 persona, të akuzuar për përfshirje në veprimtari terroriste si pjesëtarë të grupeve të militantëve ekstremistë.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 3 mijë familje kanë braktisur vendbanimet nga frika se mos qyteti i tyre pëson fatin e Rripit të Gazës.
Operacioni i ushtrisë izraelite po përballet me kritika pasi po u ndërpret banorëve kushtet më minimale të jetesës, energjinë elektrike dhe ujin. Ushtarët kanë ngritur dhjetra pika kontrolli, që kanë vështirësuar aktivitetet e përditshme të banorëve.
Ndërsa në Rripin e Gazës, armëpushimi po fuknsionon. Banorët po përpiqen të ringrenë jetën e tyre nga rrënojat e shkatërrimeve të luftës, ndërsa dhjetëra kamionë po shpërndajnë ndihma ushqimore për vendasit.
Klan News