Ushtria izraelite nisi sulmet ajrore në të gjithë Libanin duke vrarë të paktën 31 persona. Zyrtarët ushtarakë thanë se kishin shënjestruar zonat e njohura si bastione të Hezbollahut. Ata lëshuan urdhra evakuimi për periferitë jugore të Bejrutit.
Sulmi erdhi në një kohë që zyrtarët izraelite thanë se ishin afër marrëveshjes për një armëpushim.
Ata shprehën optimizëm se ishin shumë pranë finalizimit të të gjitha pikave të marrëveshjes.. Burimet libaneze thanë më herët se ajo do të shpallet nga presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti francez Emmanuel Macron brenda 36 orëve.
Sipas propozimit, fillimisht palët do të angazhohen për një armëpushim dy mujor, gjatë të cilit trupat izraelite do të tërhiqen nga Libani, ndërsa Hezbollahu do të largojë forcat e tij të armatosura përgjatë kufirit jugor.
Sipas propozimit tërheqja reciproke e trupave të armatosura do të pasohet nga vendosja e mijëra ushtarëve libanezë për të vëzhguar kufirin krahas forcës paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Ndër çështjet që diskutohet është edhe kërkesa e Izraelit për të rezervuar të drejtën që të veprojë nëse Hezbollahu shkel detyrimet e përcaktuara në marrëveshje.
Klan News