Për vite me radhë, Indriti ka njohur një tjetër jetë për veten. Ai ndan me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan kujtimet e një fëmijërie të lumtur në Vlorë, të mbushur me shumë dashuri, rritur në gjirin e një familjeje modeste por që i falte gjithçka kishte.
Rreth moshës 7-8 vjeç, një bashkëfshatar i hodhi një fjalë të rëndë duke i thënë “fëmijë i ardhur”. Indriti nuk ia vuri veshin, por në shkollë ishin fëmijët ata që i kishin sajuar një këngë duke ngacmuar pikërisht përkatësinë e tij ndaj familjes. Sërish Indriti zgjodhi të mos pyeste më prindërit, por të vazhdonte gjithçka si më parë.
Por në kujtimet e tij, edhe pse i vogël, ai mban mend një makinë që erdhi ta merrte nga Shkodra e ta çonte në Vlorë, rrugën dhe një pyetje së cilës nuk ka hezituar t’i përgjigjet.
Indrit: Ata kanë vuajtur 18 vite për të pasur një fëmijë.
Ardit Gjebrea: Pra ata të adoptuan ty dhe ndërkohë provonin që të bënin një fëmijë.
Indrit: Po. Isha 10 vjeç, vjen në jetë motra ime nga prindërit aktualë. Kjo qe surpriza më e madhe e familjes.
Ardit Gjebrea: Ah sa bukur!
Indrit: Edhe për ata, por edhe për mua. Pastaj një detaj tjetër që mbaj mend kur kam qenë i vogël…daja i babait tim ka qenë njeri i ngritur këtu në Tiranë, kishte potencën e tij që mund të bënte diçka dhe e falenderoj shumë edhe pse nuk jeton më, kishte atë kulturën e madhe dhe edukatën sa i përket birësimit dhe u thotë prindërve që “ju nuk mund të vazhdoni më të vuani, por do të birësojmë një fëmijë”. I ka shoqëruar vetë në Shkodër dhe ka ndodhur pastaj mrekullia që më birësuan mua, me një makinë që nuk e mbaj mend saktë makinën sepse ato kohë ashtu ishin dhe e mbaj mend pjesën e rrugës që kemi bërë, por jo të gjithën. Kjo ka qenë një gjë e bukur…
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ke qenë?
Indrit: Duhet të kem qenë rreth 4-5 vjeç.
Ardit Gjebrea: Pra, në momentin që ti le Shkodrën, Shtëpinë e Fëmijës ke qenë 4-5 vjeç dhe ti e ke ende atë imazhin e atij udhëtimi që ke bërë nga Shkodra për të shkuar drejt Vlorës ku jetonin prindërit e tu. Çfarë mban mend nga kjo gjë?
Indrit: Mbaj mend që më mbante afër mamaja dhe daja, edhe ai më mbante me përkëdheli. Mbaj mend që më ka pyetur mamaja a ndoshta kam thënë unë që “kush është mamaja jote”, ndoshta ndonjë edukatore atje dhe unë kam thënë direkt që ja mamaja ime! Duke thënë këtë, ata nuk hezituan por thanë “kjo është mrekullia jonë”./tvklan.al