Nënkryetari i Komisionit Hetimor për “Shëndetësinë”, Plarent Ndreca është përplasur me deputeten e PD-së, Ina Zhupën pasi kjo e fundit ka kërkuar që Ndreca të deklarojë nëse ka konflikt interesi apo jo duke i thënë se ka qenë avokat i njërit nga të hetuarit nga SPAK për koncensionet në shëndetësi.

Më tej, Ndreca i është drejtuar Zhupës duke i thënë se sipas tij, ai është më i aftë se deputetja demokrate dhe se nuk pret këshilla nga ana e saj. Në këtë moment ka ndërhyrë kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, që i ka kërkuar Ndrecës të respektojë etikën.

Ina Zhupa: Pranuat vetë që keni qenë avokat i njërit prej personave të përfshirë në këtë aferë, pra pranuat që jeni në konflikt interesi. Unë kam një kërkesë proceduriale që ndoshta mund ta zgjidhim nëse është apo jo, le t’i drejtohet SPAK-ut dhe ta pyesim nëse ka qenë avokat i personave të interesuar për çështjen e sterilizimit.

Plarent Ndreca: Nuk e kuptoj insistimin tuaj dhe nuk e di se ku e keni merak. Ty duhet të ta marrë mendja se profesionalisht jam shumë më i aftë se ty dhe vetëm nga ty nuk pres këshilla.

Albana Vokshi: Respektoni etikën.

Plarent Ndreca: Ju tërheq vëmendjen ju që të mos më ndërprisni. Etika ime nuk vlerësohet nga ju.

Albana Vokshi: Nëse përdorni fjalor jo etik, do ju heq fjalën. Bëni sqarimet e konfliktit të interesit pa vlerësuar kolegët e tjerë profesionisht.

Plarent Ndreca: Unë nuk thashë asnjë fjalë jo etike. 

Albana Vokshi: Po ju tërheq vëmendjen që t’i përmbaheni etikës. Shpjegoni konfliktin e interesit.

Plarent Ndreca: Jeni e para mes të barabartëve dhe nuk keni të drejtë t’i hiqni fjalën dikujt. Nuk kishte asgjë jo etike. Profesionalisht kemi një diplomë secili dhe nga pikëpamja e diplomës nuk pres të më këshillojë Zhupa. Kjo është çështje mes meje dhe asaj që do të prodhojë ky komision. Kam qenë avokat jo vetëm i atij, por edhe disa të tjerëve që bëjnë pjesë nga krahu juaj. Kjo është çështje e secilit deputet me mënyrën si ushtron ai veprimtarinë e vet.

/tvklan.al