Plot 16 raste vjedhjesh në kryeqytet, me një autor të vetëm! Është arrestuar një 32 vjeçar, i cili ka vjedhur shuma parash në disa biznese në Tiranë. Sipas gazetarit të Klan News Besar Bajraktaraj, Ergi Gjeçi nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai është vënë në pranga edhe më herët për drogë dhe vjedhje.
“32-vjeçari është përdorues i kokainës. Ai pikaste biznese të ndryshme ku kishte arritur që të merrte shuma parash nga 30 mijë lekë deri në 100 mijë lekë të reja”, raporton gazetari.
“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Cases”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë dhe për vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale. Zbardhen dhe dokumentohen 16 raste vjedhjesh, në disa biznese të ndryshme. Arrestohet një 32-vjeçar, autor i dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimeve të disa qytetarëve, për vjedhje në subjekte të ndryshme, me mbështetjen e inteligjencës policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cases”. Gjatë operacionit u arrestua shtetasi E. Gj., 32 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se ky shtetas është autor i 16 rasteve të vjedhjes së shumave të parave në disa biznese në Tiranë”, njofton Policia.
/tvklan.al