“Nga veriu në jug, çfarë ofrojnë bujtinat shqiptare”, është kjo tema e emisionit “Opinion” në Tv Klan. E ftuar në studio është Pëllumbesha Lasku, e cila ka rrëfyer si e mori vendimin për të investuar në vendlindje, në Pukë.
Ajo ka treguar se për 20 vite ka jetuar mes Tiranës dhe Gjermanisë, mirëpo në momentin kur së bijës i është shfaqur astma, ata kanë vendosur të të jetojnë në Pukë, ku dhe tregon se ka ndodhur mrekullia.
Pëllumbesha Lasku: Ne emigruam brenda qytetit në Tiranë, siç emigroi çdo njeri. Pas 20 e ca viteve punë në Tiranë dhe Gjermani u riktheva në Pukë.
Blendi Fevziu: Pra, ju ikët nga zona?
Pëllumbesha Lasku: Po, pas 20 vitesh u rikthyem në qytetin e lindjes. Unë kisha gocën e vogël që kishte probleme me astmën. E kontrolluam gjithandej dhe gjëja me kryesore dhe po ju them me shumë bindje, turizmi i Pukës është një turizëm shëndetësor. Lavdi Zotit, goca pas 3 vitesh që jetoi në Pukë, gëzoi një shëndet të plotë, iu zhduk astma komplet.
Blendi Fevziu: Sa dhoma keni tani?
Pëllumbesha Lasku: Për momentin, kemi 30 dhoma. Kemi 11 vite që kemi investuar në atë vend. Puka ka turizëm, këto 2-3 vitet e fundit ka pasur goxha lëvizje. Që në kohët e karantinës, edhe brenda vendit, kishim turistë jashtëzakonisht shumë. Është një vend për t’u admiruar. Ka një zemër shumë të madhe. Nuk e përshkruaj dot me fjalë. E vetmja gjë tek Puka është promovimi, promovimi i saj ka mbetur shumë mbrapa.
/tvklan.al