Unaza e Madhe e Tiranës po merr pamjen e saj të plotë. Aktualisht po punohet me ritme të shpejta në 6 nga 7 lotet e saj, për të qenë gati në fund të këtij viti. Ndërsa loti 2, që nis pas Urës së Tiranës në drejtim të Paskuqanit, ka përfunduar, në lotet 6 dhe 7, në afërsi të Freskut, po hidhen shtresat asfaltike. Shumë shpejt asfalti do të nisë të hidhet edhe në lotin 4.
“Ky është loti 4 i Unazës së Madhe, që kalon në zonën e Shkozës me një gjatësi 640 metra. Aktualisht po bëhen përgatitjet e fundit për nisjen e shtresave asfaltike”,raporton gazetarja e Tv Klan, Dorina Halili.
Në 3 lotet e tjerë, në anën e Shkozës, po punohet për mbylljen e veprave inxhinierike.
“Loti 1 që fillon nga Shqiponja, i cili përfundon tek mbikalimi i lumit Tirana, po punohet për pjesën e nyjes hekurudhore, me mbylljen e saj po bëhen përgatitjet për fillimin e shtresave asfaltike. Loti 3 ka dy ura, e cila njëra ka përfunduar, ndërkohë është duke u përfunduar edhe ura 2. Loti 5, është duke përfunduar mbikalimi që lidh Kinostudion me Unazën, janë punimet e fundit për të bërë të mundur përgatitjet për shtresat asfaltike”, thotë Gëzim Noni, përgjegjës i menaxhimit të kontratave në ARRSH.
Si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore të kryeqytetit, Unaza do të hapet për qarkullimin e automjeteve me 31 Dhjetor, ndërsa punimet e tjera plotësuese do të vazhdojnë edhe përgjatë vitit 2025.
“Jemi në maksimumin e angazhimeve. Trupi kryesor i rrugës do jetë i aksesueshëm për të gjithë përdoruesit e mjeteve, por ecuria e punimeve është e tillë do ketë edhe plotësime që mund të vazhdojnë përtej këtij afati që lidhet me rrugët e aksesit dhe plotësimet e ndryshme që ka nevojë projekti”, shprehet Noni.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, Unaza do të kishte përfunduar më shpejt, por një sërë faktorësh i penguan punimet.
“Ka pasur problematika me shpronësimet, plus vështirësitë në ekzekutimet, ka qenë një punë goxha e madhe që përkthehet në vonesë në dorëzimin e veprës”, vijon Noni.
Unaza e madhe e Tiranës ka një gjatësi totale 28.7 kilometra. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë, një shpejtësi e kufizuar kjo në projektim, siç shpjegojnë ekspertët e ARRSH, për shkak të shumë hyrje-daljeve.
Tv Klan