Intervista e Gold AG në “Rudina” në Tv Klan u ndal edhe te fëmijëria. Në një reflektim mes ndryshimeve që  ka patur fëmijëria e tij me atë të dy djemve, Guerilit dhe Frontit, këngëtari bëri një krahasim ku ndau edhe një dhimbje: fëmijërinë pa praninë e babait.

Ai uron që  të ketë mundësinë t’i qëndrojë gjithnjë pranë fëmijëve të tij, për të cilët kujdeset që të edukohen dhe rriten në mënyrë modeste, larg luksit të tepruar.

Rudina Magjistari:Çfarë mendon që fëmijët e tu duhet ta kenë dhe e kanë sot që ti nuk e ke patur dot gjatë fëmijërisë tënde, që të ka munguar?

Gold AG: Babain. Këta e kanë, unë s’e kam pasur. Unë jam rritur pa baba, jam rritur veç me nënën dhe tani mundohem që kohën më të madhe t’ua kushtoj atyre. Unë e di çfarë është të të mungojë prindi. Ndoshta dikush është rritur pa të dy, pa nënë e pa baba, nëna ime është rritur pa babain e pa nënën por këtyre nuk u mungon babai për momentin. Shpresoj të kem jetë të gjatë e t’i shoh që kur të bëjnë ca vite, të shoh sukseset e tyre, sado që jetojmë, prapëseprapë një fund është diku. Sa u përket gjërave të tjera, nuk kam qejf t’i llastoj me gjëra të tepërta se jetojmë në një vend ku ndoshta jo të gjithë i kanë kushtet si duhet kështu që nuk kam qejf t’i llastoj me firma të ndryshme, t’i vesh me Gucci, Louis Vuitton e gjëra, kam qejf që të shkojnë siç janë fëmijët e tjerë, mos të dallohet që është djali im./tvklan.al