Gabor Vasmatic është i ftuari i parë i një cikli të ri intervistash në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan që u kushtohet të huajve që jetojnë në Shqipëri. Ai është një programues hungarez i cili prej vitit 2007 është vendosur në Shqipëri ku është martuar me Manjolën, me të cilën ka tre fëmijë.
Bashkë kanë themeluar edhe një shoqatë të quajtur “Federata e Familjes”. Gabor tregoi sa shumë e kishte impresionuar mikpritja kur ai erdhi fillimisht në vendin tonë pasi ishte më tepër nga kudo tjetër dhe u ndie mirë. Gjatë bisedës, hungarezi evidenton edhe disa zakone të tjera që i kanë lënë shumë përshtypje nga kultura vendase.
Aldo: Cila ishte fjala më e çuditshme që mësove për herë të parë në shqip?
Gabor Vasmatic: Më dukej shumë interesante fjala “faleminderit”. Është fjalë e gjatë.
Aldo: Si e keni hungarisht juve?
Gabor Vasmatic: “Kësënëm”.
Aldo: Është fjalë e gjatë dhe t’u duk interesante.
Gabor Vasmatic: Po, e kam dëgjuar edhe nga të huaj të tjerë gjithë kjo fjalë për të thënë se anglisht është thjesht “thanks”.
Aldo: Ti gjatë këtyre viteve besoj ke marrë pjesë nëpër festa, ditëlindje fëmijësh, dasma ose edhe në vaki, në mort. Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje në këto tre evente që janë ndoshta më të rëndësishmet në jetën e njeriut?
Gabor Vasmatic: Një gjë e përbashkët për gjithë këto evenimente është që njerëzit kontribuojnë. Ata që janë ftuar dhe qoftë për lindje, dasmë, vaki, vijnë dhe i ofrojnë familjes.
Aldo: Japin para.
Gabor Vasmatic: Po. Në këtë mënyrë e ndajnë përgjegjësinë financiare që i ka rënë personit dhe ndihmojnë njëri-tjetrin shumë. Mua më bëri shumë përshtypje kjo pjesa, veçanërisht kur shënonin në fletore.
Aldo: Po, filani solli kaq.
Gabor Vasmatic: Çfarë po shkruajnë aty, pyeta. “Po sa ka sjellë ky, sa ka sjellë ai tjetri” dhe është pjesë e rëndësishme.
Aldo: Po aq duhet t’i çosh ti kur të sjellin ty.
Gabor Vasmatic: Po, e kthejnë atë nderin./tvklan.al