Ditën e ndjeshme në Pallatin e Kongreseve u mbaj nata e para e gjysmëfinales e festivalit “Kënga Magjike”. Artistë të rinj dhe ata që prej vitesh performojnë, prekën skenën madhështore nën ethet e muzikës dhe duartrokitjeve të publikut. I ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” mëngjesin e kësaj të enjteje, muzikanti Arben Skënderi foli rreth kompeticionit të madh dhe emocioneve që i përcolli.
“Unë e ndoqa nga ekrani, nuk munda që të isha në sallë dhe perceptimet janë të ndryshme, por skena është skenë. Shyqyr që kemi evente nëpër salla sepse po zhduket në Evropë kjo gjë. Njerëzit po e konsumojnë artin nga ekranet e vogla, po e konsumojnë nga formate të tjera dhe vajtja në sallë po kthehet në një luks. Të shikosh një sallë plot në Pallatin e Kongreseve është fantastike sepse njerëzit kanë etje, uri për të ndarë emocione.”
Jashtë petkut të jurisë dhe përgjegjësisë së kritikave, Arben Skënderi pati disa fjalë dhe për artistët e rinj që u ngjitën në Pallatin e Koncerteve, për t’u kualifikuar më pas në kategorinë “Big”.
“Më bëri shumë përshtypje impenjimi dhe serioziteti i të rinjve,” tha ai teksa u shpreh i surprizuar nga performancat skenike dhe materialet e artistëve të rinj.
“Më ka bërë shumë përshtypje, por jo vetëm mbrëmë. Mbrëmë ishte konkretizimi i një ideje që nuk e ndaj vetëm unë. Më bëri shumë përshtypje impenjimi dhe serioziteti i të gjithë të rinjve, këtyre artistëve “New Artist”, ishte dominante. Ka qenë dhe vitet e tjera, por këtë vit duket sikur është armatë e tërë të rinjsh që e kanë marrë shumë seriozisht rrugën që kanë zgjedhur. Më bën përshtypje gjithë serioziteti që kishin marrë skenën, spektaklin e materialin që këndonin. Sigurisht që ekrani nuk të fal për disa gjëra sepse në sallë kalojnë emocione dhe përjetime të ndryshme, në ekran shikon dhe gjërat e vogla, por që janë të papërfillshme. Flas për këtë kategori të rinjsh duke parë angazhimin në skenë, duke parë performancën që secili kishte menduar të ngjiste. Një nivel shumë i mirë të rinjsh.”
Duke krahasuar dy kategoritë e rinisë dhe të brezit të sotëm, Arben Skënderi tha se ishte një shembull i mirë që të shohësh në skenë këta artistë të pasionuar pas artit, muzikës dhe ëndrrave të tyre.
“Të bësh karrierë në të tilla fusha, por veçanërisht në art dhe kulturë, nuk është vetëm çështje talenti, është dhe inteligjencë. Pra rrugëtimi i mëtejshëm pastaj varet nga shumë faktorë, por pashë të rinj që e nisin rrugën me pasion dhe në këta të rinj ndjen pasione. Ke dhe një kategori tjetër pastaj, që ky pasioni nuk po them se u është kthyer në rutinë, por në forma të tjera. Dhe t’i shohësh këta të rinj të pasionuar është vërtet një model i mirë për ata shokë që rrinë në kafe gjithë ditën”./tvklan.al