Historia e 15-vjeçares nga Tirana që u shantazhua dhe përdhunua nga ish-roja i shkollës dhe nga 3 të rinj, ka tronditur thellë gazetaren Aulona Musta, e cila në emisionin “Rudina”, vuri theksin tek domosdoshmëria e komunikimit të fëmijëve me prindërit dhe mësuesit.
Rudina: Po prindërit, sepse kam përshtypjen se i njëjti problem në komunikim është edhe me prindërit. Pse nuk ua thonë prindërve?
Aulona Musta: Nuk e kanë këtë marrëdhënie. Nuk e kanë këtë marrëdhënie me prindërit që vajza 14-15 vjeçare të shkojë e t’i thotë këtë gjë nënës, ose babait. Kjo është kryesore, sepse e shikoj që reagimi pse? Sepse nuk kanë folur kurrë, kurrë në asnjë moment për këto gjëra. Sepse konsiderohet e turpshme, sepse në vitin 2020 dhe nuk bëhet edukatë seksuale, është minimumi që mund të bësh, të mësosh gjërat bazike në shkollë. Si mund të pretendosh të flasësh me prindin pastaj për këtë gjë. Dhe duke qenë se këtu nuk funksionon asnjë institucion, fëmijët kanë gjithashtu frikë se thonë po t’i them mamit ose babit do të shkojnë ta kapin dhe do bëhet tragjedi dhe do futen familjet në sherr dhe e mbajnë të gjithë këtë barrë brenda. Nuk funksionojnë as psikologët, nuk funksionojnë organizatat e ndryshme, që janë të gjitha pallavra, çdo njeri që del edhe flet nuk bëhet asgjë, ku janë ata që merren me të drejtat e fëmijëve? Dhe që dinë të dalin nga Rudina në mëngjes tek Fevziu në darkë dhe nuk shkojnë të rrinë aty përpara kryeministrisë, përpara parlamentit dhe të kërkojnë që të forcohet ligji. Unë kam postuar dje në Instagram një tjetër rast, një zonjë që ka dalë me emër e mbiemër, po ndjek historinë e vajzës së saj 8-vjeçare që është ngacmuar seksualisht nga një 35-vjeçar që kishte qenë në burg për abuzim seksual me një 4-vjeçare. Kishte bërë 4 vite, kishte dalë, ka abuzuar seksualisht me vajzën 8-vjeçare, tani është dënuar me 4 vite. Sërish vetëm me 4 vjet. /tvklan.al