Katër vite më parë, kur Pacolli deklaroi se do të hynte në politikë, e besuan pak persona, edhe pse të gjithë e dinin që ambicia e tij e parë dhe e fundit ishte të bëhej president i Kosovës.
Njeriu që kishte arritur të shndërrohej në shqiptarin më të pasur në botë dhe që kishte krijuar një perandori financiare kryesisht në vendet e ish- Bashkimit Sovjetik, hasi vështirësi në ngjitjen e shkallëve të politikës.
Pa ndonjë eksperiencë në këtë fushë, në një takim mjaft të çuditshëm ndërmjetësues me Milosevic, në kulmin e luftës së Kosovës në vitin 1998, Behgjet Pacolli dukej sikur kishte hyrë në një fushë të minuar, ku do të hidheshin në erë ambiciet që shkonin tej mundësive.
Në fakt CV-ja e tij, me gjithë misteret aty këtu, nuk linte për t’u nënvlerësuar. I lindur në fshatin Marevc të Kosovës, Behgjet Pacolli e gjeti fatin e tij duke i shitur fabrikave të ish-Jugosllavisë, makina tekstile zviceriane. Ai u punësua fillimisht në Austri dhe më pas në Zvicër, ku nisi të ngjitej drejt fitimeve të mëdha.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, një rastësi fatlume e lidhi me një nga këshilltarët më të afërt të presidentit rus Boris Yeltsin, i cili e rekomandoi për rindërtimin e parlamentit rus, i dëmtuar nga grushti i shtetit në vitin 1993. Rindërtimi ishte i suksesshëm, pasi disa kohë më pas ai mori një sër kontratash si rinovime hotelesh, shtëpish pritjesh në Rusi, zyrën dhe presidencën e presidentit rus dhe më në fund atë që njihet si puna më e rëndësishme e karrierës së tij, restaurimi i Kremlinit, simbolit të pushtetit rus.
Por punimet në Kremlin i kushtuan atij një ndër proceset hetimore më të famshme të fundviteve ’90, atë që njihet si “Kremlin Gate”. Një investigim i nisur në Rusi dhe Zvicër nga Carla Del Ponte hetonte Pacollin dhe presidentin rus Yeltsin. Një hetim ky që zuri faqet e para të të gjithë gazetave dhe televizioneve të globit dhe që e bëri Pacollin të famshëm.
Padyshim më të famshëm se martesa me Ana Oxa, këngëtaren italiane me origjinë shqiptare, e cila ka fituar dy herë festivalin e Sanremos. Fotoja e tyre u shfaq fillimisht në shtypin roz italian, ndërsa dasma që bënë në Lugano bëri bujë në Itali dhe Zvicër.
Në Mars të vitit 1998, me ndërmjetësimin rus, Pacolli takoi Milosevic në Beograd, në tentativë për të arritur një marrëveshje mes tij dhe liderve kosovarë. Takimi nuk vlejti për gjë, por ai mbeti pika më e atakueshme e Pacollit.
Një pikë, që sëbashku me lidhjet e forta në Rusi, besohet se do të ishin dy pika të pakalueshme për angazhimin e tij në politikë dhe rrugën drejt presidencës.
Aksesi i Behgjet Pacollit në Rusi u zbeh me ardhjen në pushtet të Presidentit Putin, por ndërkohë ai kishte zbuluar një tjetër vend të artë për biznesin e tij. Kazakistani ishte një vend, ku ka lënë gjurmë në ndërtimin e kryeqytetit të ri dhe një seri lagjesh rezidenciale luksoze dhe godinash administrative.
Në vitin 2006 ai deklaroi idenë e tij për t’u lançuar në politikë, krijoi partinë “Aleanca për Kosovën e re” dhe në zgjedhjet e vitit 2007 mori një numër impresionues votash, por të panevojshme për të hyrë në qeveri. Pacolli qëndroi në opozitë, por pa patur ndonjë qëndrim opozitar mbreslënës. Ndërkohë që në vitin 2010 ai nisi një mocion për rrëzimin e qeverisë së Hashim Thaçit, të braktisur nga LDK.
Në zgjedhjet e Tetorit të vitit 2010, AKR mori më pak vota se në vitin 2007, por refuzimi i Isa Mustafës dhe më pas ai Haradinajt, për të hyrë në koalicion me Thaçin, i sollën Pacollit rastin e artë.
Prej dy javësh, Behgjet Pacolli është Presidenti i Kosovës, shtetit më të ri në botë. Ai qëndron në postin e presidentit me një sërë kundërshtish.
Emisioni “Opinion” u zhvendos mbrëmjen e sotme në rezidencën Pacolli, nga ku Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli rrëfeu detaje nga jeta dhe karriera e tij./tvklan.al