Dëbora e dendur e rënë ditët e fundit në shumë rajone të vendit është zëvendësuar këtë fillim jave nga një mot i ftohtë me temperatura nën zero gradë dhe ngrica në shumë zona.
Akset nacionale janë të gjitha të kalueshme, por shumë komuna të thella kanë mbetur të bllokuara.
Kështu të izoluara janë fshatrat Zapot, Arrën dhe Bushtricë në Kukës, Lekbibaj në Tropojë, komunat e Selishtës dhe Kalasë së Dodës, në Peshkopi si dhe fshatrat Shtyllë, Panarit dhe Malësi e Mokrës në rajonin e Korçës.
Kushtet e këqija të motit që çdo dimër mbërthejnë zonat malore të vendit nxjerrin në pah çuditë dhe kushtet reale në të cilat jetojnë banorët e zonave të thella, por edhe fytyrën ende patriarkale të shoqërisë sonë.
Këto pamje janë xhiruar në Lladomericë të Gollobordës. Shfrytëzimi i grave nga burrat tingëllon aq aktual sa edhe në veprën e Çajupit, “14 vjeç dhëndër”, shkruar afro një shekull më parë. Pse ndodh sërish një fenomen i tillë?
“Jetë të vështirë po bëjmë këtu. Vend malor që kush na përkrah, as komuna, as nga shteti”.
Si kjo 38-vjeçare në fshatrat e Gollobordës janë me dhjetëra gra që ngarkohen dimër-verë me dru dhe ushqime.
“Me litar ngarkohemi. Si do e kalosh? Mos e pyet. Në qoftë se do punosh do kesh, në qoftë se jo s’ke asgjë.”
Varfëria në këto zona është në nivelet nga më të lartat. Shumica e të rinjve janë të papunë, ndërsa fshatarët jetojnë me të ardhurat nga emigracioni, bujqësia dhe blegtoria.
“Të ardhurat janë nga bujqësia. Mund të marrësh një diçka po s’ke edhe ku me e shit”.
“Vetëm nga emigracioni. Kush ka emigrantë jeton, kush s’ka me vujt jetën”.
“Rruga bllokohet, spitale s’kemi, asnjë gjë s’kemi, asnjë gjë fare”.
“Në qoftë se s’ke makinë të madhe këtu nuk lëviz. Vetëm të kesh makinë 4 herë 4 kështu që të kalosh ndonjë Fuoristradë naj kështu, se për gjë tjetër…”.
Dëbora në këto zona arrin deri në 1 metër dhe thuajse përgjatë gjithë dimrit shumë komuna mbeten të bllokuara duke shkëputur lidhjet jo vetëm me pjesën tjetër të vendit, por edhe në kohët moderne në të cilat jetojmë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani