Vazhdon të jetë e rënduar dhe pas ndaljes së reshjeve të dëborës situata në veriun e vendit me komunat e izoluara, rrugë rurale të bllokuara plotësisht dhe akse kombëtare ku mjetet kalojnë vetëm me zinxhirë.
Në qarkun e Dibrës trashësia e dëborës që kalon një metër dhe ngrica mbajnë ende të bllokuara komunat.
Fatmir Konja: “Në qarkun e Dibrës vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Reç të rrethit të Dibrës. Komunat Ostren, Trebisht dhe Martanesh në rrethin e Bulqizës dhe komunat Xibër dhe Macukull në rrethin e Matit”.
Ashtu si dhe në këto fshatra edhe disa segmente të shkurtra mjaft të rëndësishme të qytetit të Peshkopisë si ajo e spitalit janë të bllokuara prej ditës së diel.
Anomali në këtë qark është krijuar dhe në lëvizjen e pasagjerëve, kryesisht studentë dhe emigrantë pasi edhe në këtë stinë të rënduar disa drejtues fugonësh e autobusësh përpiqen të përfitojnë duke e rritur me disa herë çmimin e biletës.
“Provime sot kemi dhe s’mundemi me i kap”.
E njëjta situatë në transportin e udhëtarëve është edhe në Kukës, ku gjithashtu ka mungesë të mjeteve interurbane.
Rruga kombëtare është e kalueshme vetëm me zinxhirë, por problem mbeten ende disa komuna të izoluara.
Fatmir Konja: “Aktualisht në qarkun e Kukësit vijojnë të jenë të bllokuara komunat Zapod, Kalis, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çaj, Arrën të rrethit të Kukësit dhe Lekbibaj dhe Bytyç të rrethit të Tropojës.”
“Në orët e para të mëngjesit ka patur dy ortekë nga aksi i Fushë-Arrëz-Qafë Malit. Ndërhyrja e shpejtë e borëpastrueseve i ka zhbllokuar ato dhe gjithë rruga është e kalueshme, pra situata është nën kontroll. Të gjithë makineritë janë përqendruar në aksin kryesor dhe gjatë gjithë natës është punuar nga borëpastrueset për të mbajtur më nën kontroll këtë aks”.
Fatmir Konja: “Përsa i takon qarkut të Shkodrës po vazhdon punën intensive për hapjen e rrugëve të bllokuara në komunat Iballë dhe Qelëz të rrethit Kukës si dhe për zhbllokimin e rrugës Tamarë-Vermosh në Malësinë e Madhe. Në qarkun e Korçës nuk ka komuna të bllokuara përveç komunës Velçan në rrethin e Pogradecit, ndërsa në qarkun Elbasan janë të bllokuara komunat e Librazhdit Sterblevë dhe Stravaj, kurse komuna e Lunikut është e zhbllokuar.”
Nga ana e policisë janë marrë masa për kontrollin rrugor dhe patrullat janë të pranishme në të gjitha akset rrugore duke e bërë të mundur lehtësimin e qarkullimit dhe ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve për marrjen e masave për shmangien e aksidenteve, ndërkohë që vazhdon puna me mjete borëpastruese dhe për hedhjen e skorieve./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani