Epidamn Zeqo, djali i akademikut Moikom Zeqo, i cili u nda nga jeta më 15 Qershor 2020, ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Historia ime”, ku foli më gjatë për jetën e të atit dhe si e përjetoi ai dhe familja humbjen e madhe.

Gjatë intervistës, Epidamni tregoi se si ishte Moikomi si baba dhe bashkëshort. Edhe pse Moikomi ishte një njeri i karrierës, i biri thotë se nuk harronte asnjëherë të ishte edhe një baba i dashur dhe i përkushtuar.

Epidamn Zeqo: Ishte një njeri shumë i mirë, shumë i thjeshtë dhe shumë i dashur, por kërkonte. Kërkonte që unë të lexoja, të studioja, ishte kërkues. Nuk mjaftoheshe vetëm me gjëra sipërfaqësore, kërkonte arritje kuptim plota.

Mirela Miroli: Si e mbani mend marrëdhënien e babit me nënën tuaj Lida?

Epidamn Zeqo: Një marrëdhënie shumë e mirë, ata kanë punuar bashkë në arkeologji shumë vite dhe ishte një eksperiencë fantastike. Edhe mua më mësuan me ndjenjën e arkeologjisë. Vazhduan studimet në vitet ’90, gjithmonë dy persona të ndryshëm, por duke punuar së bashku. Te dy ishin persona karriere dhe unë me motrën e mesit se e madhja iku herët jashtë shtetit, patëm shumë episode ku jetonim vetëm me javë të tëra. Kjo na bëri më të fortë, më mësoi të gatuaj që në moshën 10 vjeç dhe e shoh gjithçka me një kuptim dhe jo pse e pat karrierën para fëmijëve. Kishin shumë dashuri, shumë përkushtim, por kishin dhe karrierat e tyre dhe kjo është shumë normale./tvklan.al