Mes qytetarëve të cilët ishin mbledhur duke bërë homazhe për 42-vjeçarin i cili humbi jetën më 10 Gusht në Pogradec si pasojë e dhunës ishte edhe motra e tij. Mes lotësh ajo i bëri thirrje sistemi të drejtësisë që të vendosë drejtësi për vëllain e saj dhe të dënojë barbarët të cilët i morën jetën.
“Të dashur miq të njohur dhe të panjohur. Ju falënderoj që jeni këtu në vendin ku mori frymë për herë të fundit vëllai im Englantini. Unë jam motra e tij, por që nga dita kur Egli mbeti këtu i pajetë, pasi jetën ja morrin barabartë e këtij qyteti, unë do të jem mbrojtësja e tij. Do ta mbroj tani pas vdekjes pasi nuk isha këtu ta mbroja për së gjalli. Shumë kujt mund t’i dukem e vogël e pafuqishme, e dëshpëruar, e pashpresë apo thjesht një hallexheshë me të zeza, por iu betohem juve që jeni këtu edhe atyre që fshihen skutave se drejtësinë do ta sjell me çdo kusht, se ja kam borxh vëllait tim, vetes dhe familjes sime. Nuk dua të përfitojë kush nga vëllai im, nuk dua që të politizohet vdekja e tij, nuk dua të hidhërohet askush më shumë se unë dhe familja ime për të.
Megjithatë do të pranoj ndihmën e të gjithëve deri sa drejtësia të vihet në vend dhe ta shohë edhe vëllai im nga varrezat se ajo u vendos. Kriminelët i kanë mbyllur gojën këtij qyteti dhe vëllait tim duke i mbyllur jetën. Do të shkojnë në burg të gjithë pa përjashtim, si ata ‘plehra’ që e dhunuan dhe ia morën shpirtin këtu, si ata të pashpirtit e tjerë që kërkuan ta mbyllin këtë vrasje makabre me heshtje apo me letra. Kam vetëm një kërkesë për të gjithë ata që më dëgjojnë sot, për pogradecarët: Flisni, mos kini frikë, tregoni të vërtetat tuaja për banditët që morën jetën e Eglit, dëshmoni se ata mund të vrasin vëllezërit tuaj nëse shpëtojnë paq.
Tregoni kush i mbron e kush janë kriminelët pas tyre. Kërkoj nga sistemi drejtësisë avokatë, prokurorë e gjyqtarë, këtë herë nuk ka para, nuk ka miq, e nuk ka ndërhyrje e nuk ka taraf. Mos bëni gabimin ta godisni me shkelma e me grushte vëllain time, siç bënë barbarët, që do të përpiqen t’u blenë. Kërkoj vetëm drejtësi dhe asgjë tjetër, por jo vetëm si shprehje, e kërkoju si vepër. Duke filluar që sot u bëj thirrje të gjithë avokatëve dhe juristëve të Shqipërisë, të vijë dhe të mbrojnë Eglin bashkë me mua,” është shprehur ajo./tvklan.al