Jo shumë larg nga Vlora ndodhet një prej objekteve më të rëndësishme të kultit, Manastiri i Zvërnecit. Ky territor dikur ishte një zonë e pabanuar. Ata që e populluan këtë vend, sipas historianëve, erdhën nga ishulli i Sazanit.

Manastiri dhe kisha janë të vendosura në një prej zonave më piktoreske të qytetit të Vlorës.

Për arkitekturën, vlerësohet si një nga objektet e rralla në vendin tonë.

E pikërisht për bukurinë e zonës, por edhe të vetë objektit është një prej destinacioneve më të zgjedhura turistike.

Këtu gjen turistë në çdo stinë të vitit. Nuk preferohet vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe më tej. Manastiri, por edhe kisha e Shën Mërisë zgjidhen edhe në stinën e vjeshtës. Turistët janë nga shtete të ndryshme të Europës, por edhe nga kontinente të largëta.

Interesimi i lartë nga turistët theksohet edhe nga Jani Tereziu i cili prej 25 vitesh menaxhon këtë vend të shenjtë.

Vizitorët nuk vijnë këtu vetëm për të bërë foto të bukura, por edhe për të mësuar më shumë për historinë e këtij objekti.

Interes nuk ka vetëm për pjesën e jashtme të manastirit.

Brenda ndërtesës ka objekte mjaft interesante që tërheqin vëmendjen e vizitorëve. Ato janë ruajtur për të shërbyer edhe si provë e historisë së këtij objekti. Banorët e kësaj zone dinë dhe flasin për mrekulli që kanë ndodhur në këtë manastir.

Në kohën e mbretërisë, por edhe gjatë periudhës së diktaturës ku vend u kthye në zonë strehimi për të përndjekurit politikë. Një prej objekteve aty pranë ka qenë spital psikiatrik ndërsa një tjetër shërbente si vend takimi mes të përndjekurve politikë të kohës dhe familjarëve të tyre.

Në vendin tonë ka një sërë objektesh kulti me mjaft rëndësi.

Klan News